Një avion ushtarak turk është raportuar të ketë mbërritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit, duke transportuar dy autobotë uji të tipit TOMA, që përdoren për shpërndarjen e protestave.
Avioni ishte nisur nga Kayseri i Turqisë më 19 tetor dhe ishte kthyer menjëherë pas shkarkimit të mjeteve. Lëvizja raportohet se është evidentuar edhe në platformën Flightradar24. Ngjarja vjen në një kohë kur në Tiranë vijojnë protestat e studentëve dhe të rinjve kundër qeverisë së Edi Ramës.
Për këtë zhvillim ka reaguar publikisht edhe deputeti turk Turhan Çömez, i cili përmes një postimi në rrjetin social X ka ngritur shqetësime për përdorimin e këtyre mjeteve ndaj protestuesve shqiptarë. Çömez shkruan se autobotët do të përdoren për të shtypur demonstratat dhe kritikon ashpër dërgimin e tyre në Shqipëri. “Përvoja juaj në shtypjen e protestave i ka kaluar kufijtë. Tani po bëheni lider botëror duke dërguar në Shqipëri autobotë uji që do të përdoren kundër studentëve!”, shprehet deputeti turk. Në reagimin e tij ai përmend edhe deputetin shqiptar Belind Këlliçi, i cili sipas tij ka publikuar pamjet e dy mjeteve në aeroport.
Ndërkohë, sipas Syri TV, redaksia i është drejtuar zyrtarisht Ambasadës së Turqisë në Tiranë për të kërkuar sqarime, por nuk kishte marrë përgjigje edhe pas rreth katër orësh. Mbërritja e raportuar e mjeteve vjen mes tensioneve dhe përplasjeve të vazhdueshme mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit, ku janë përdorur gaz lotsjellës dhe autobotë uji. Deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar mbi destinacionin përfundimtar të dy mjeteve apo mënyrën se si do të përdoren.