
Disa biznese të profesioneve të lira kanë nisur aplikimin e tarifave të shtrenjtuara për shërbimet e ofruara si pasojë e taksimit të profesioneve të lira.
Avokatët paralajmëruan më herët se përfshirja e tyre në taksimin progresiv, do të t’i godasë për së dyti herë, pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve të hartës së re gjyqësore për rishpërndarjen e gjykatave, çka do të reflektohej në shtrenjtimin e tarifave.
Gjithashtu rritje e çmimeve për shërbimet që ofrojnë pritet nga stomatologët dhe psikologët.
Tashmë ligji i ri është ankimuar 4 herë në Gjykatën Kushtetuese, nga grupi parlamentar i PD-së, një tjetër padi është dërguar nga IKM dhe IEAKA, nga avokatët dhe profesionistë të tjerë dhe nga autoshkollat. Nga Gjykata Kushtetuese është përcaktuar më 18 Qershor mbajtja e seancës së parë së shqyrtimit të 3 padive të para.
Në një sondazh të pak ditëve më parë që Monitor zhvilloi me profesionistët e lirë, pjesa më e madhe e tyre thanë se këtë tatim ata do e kalojnë kryesisht te çmimet e shërbimeve.
38% e të anketuarve thanë se do të detyrohen të rrisin çmimet, 26% deklaruan se do të sakrifikojnë fitimin neto dhe 4% deklaruan se do të ulin shpenzimet e aktivitetit. Shumë të tjerë po mendojnë seriozisht që jo vetëm të mbyllin aktivitetin, por dhe të emigrojnë, që ishin zgjedhjet e 23% të të anketuarve. Konkretisht, 17.5% e të anketuarve thanë se do e mbyllin ose pezullojnë aktivitetin, ndërsa 5.4% të tjerë thanë se përveçse do mbyllnin biznesin do të largoheshin jashtë vendit.