Avokati Cakrani heq dorë nga mbrojtja e ish-presidentit

Avokati Cakrani heq dorë nga mbrojtja e…

Avokati Kujtim Cakrani nuk do të përfaqësojë më ish-presidentin Ilir Meta në procesin e tij gjyqësor. Lajmi është konfirmuar nga Studio Ligjore “Cakrani”, e cila njoftoi se marrëdhënia profesionale me Metën ka përfunduar për shkak të humbjes së mirëbesimit reciprok dhe mungesës së bashkëpunimit mes palëve. Sipas deklaratës, vendimi është marrë në përputhje me Kodin e Etikës së Avokatit dhe nuk lidhet me konflikt interesi apo akuza mes palëve.

Shkëputja e bashkëpunimit vjen vetëm pesë ditë pas seancës së fundit në GJKKO, e cila u shoqërua me tensione mes Ilir Metës dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi. Debatet u përqendruan te Ardian Shatku, kushëriri i Kryemadhit, i përmendur qindra herë në dosjen hetimore, por i pathirrur si dëshmitar. Pas seancës, Cakrani deklaroi se tensionet nuk përbënin një konflikt personal mes ish-bashkëshortëve, por kishin lindur gjatë diskutimeve mbi rolin e Shatkut në çështje.

Në deklaratën zyrtare, Studio Ligjore “Cakrani” i uron Metës të gjejë një përfaqësim të ri ligjor dhe garanton se do të ruajë konfidencialitetin e të gjitha informacioneve të marra gjatë ushtrimit të mandatit. Kujtim Cakrani ishte avokati i dytë që mori përsipër mbrojtjen e Ilir Metës, pas largimit të Genc Gjokutajt nga kjo çështje në maj të vitit të kaluar.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit