Avokati i Popullit kërkoi anulimin e karantinës për emigrantët që vijnë për të votuar nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut, e mbështet Meta

Avokati i Popullit kërkoi anulimin e karantinës…

Presidenti i vendit Ilir Meta mbështet plotësisht qëndrimin e Avokatit të Popullit, që i këkron qeverisë që të anulojë vendimin për karantinimin e detyrueshëm të shtetasve shqiptarë që vijnë nga Greqia apo Maqedonia.

Meta thotë se ka dhe 48 orë kohë që ky vendim i paligjshëm të anulohet, pasi emigrantëve nuk duhet që t’iu privohet e drejta e tyre për të votuar në zgjedhjet e ditës së dielë, që mbahen në Shqipërisë.

Meta shprehet i keqardhur dhe për formularin që detyrohen të plotësojnë emigrantët shqiptarë në kufi, të cilët ngarkohen edhe me përgjegjësi ligjore në rast se thyejnë karantinimin.

Postimi i Metës:

Mbështes plotësisht gjetjet, vlerësimet dhe Rekomandimet e Avokatit të Popullit, për anulimin e menjëhershëm të Urdhërit nr. 219, datë 19.4.2021, të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale “Për karantinimin e personave që vijnë në Republikën e Shqipërisë nga Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Greqia”.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, dhe institucionet përgjegjëse shtetërore, përfshirë dhe pikat kufitare, jo vetëm duhet të anulojnë çdo vendimmarrjeje, që rëndon pozitën e shtetasve shqiptarë në mënyrë jo proporcionale, por kanë përgjegjësinë të hulumtojnë dhe të marrin vendime që njëkohësisht me garantimin e sigurisë shëndetësore, të respektojnë edhe të drejtat dhe liritë themelore, siç është e drejta për të zgjedhur.

Është për të ardhur keq, që emigrantëve në kufi, që kanë hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë, u është kërkuar nënshkrimi i një formulari me detyrim, për vetëkarantinimin 14 ditor.

Kjo kërkesë ka ardhur mbi bazën e një akti që nuk kishte hyrë ende në fuqi, pasi Urdhri nr. 219, datë 19.4.2021, i ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si një akt me karakter normativ, në përputhje me nenin 117, pika 1, të Kushtetutës, merr fuqi juridike vetëm pasi botohet në Fletoren Zyrtare.

Akoma më i keqardhur ndihem për faktin se, në situatën pandemike, vijon mosbotimi i akteve zyrtare në kohë dhe një urdhër që pasohet me sanksione administrative, zbatohet pa hyrë ende në fuqi, e publikohet 2 ditë pas miratimit e zbatimit.

I bëj thirrje Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, përmes Departamentit për Kufirin dhe Emigracionin, dhe çdo organi tjetër kompetent për dhënien e masave administrative, të kenë kujdes nga dalja e Rekomandimit të Avokatit të Popullit për anulimin e Urdhrit 219, datë 19.4.2021, të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Merrni masa të reagoni me përgjegjshmëri, objektivitet, dhe jashtë ndikimeve politike!

Mos cenoni të drejtën e votës së bashkatdhetarëve tanë!

Edhe 48 orë nis llogaridhënia për shkelësit e Kushtetutës dhe të ligjit!

Sa i takon qëndrimit të mbajtur dje nga institucioni i Avokatit të Popullit, thuhet se është e papranueshme që emigrantët të privohen nga e drejta kushtetyese e votës, dhe vendimi i Komitetit të Ekspertëve duhet të anulohet në mënyrë të menjëhershme.

Qëndrimi i Avokatit të Popullit:

Avokati i Popullit kërkon anullimin e urdhërit që pamundëson pjesëmarrjen e qytetarëve shqiptarë që vijnë nga Greqia ose Maqedonia e Veriut për të ushtruar të drejtën kushtetuese të votës.

Në një rekomandim dërguar Ministrisë së Shëndetësisë, KQZ-së dhe Komitetit Teknik të Ekspertëve, Avokati i Popullit ka kërkuar anullimin tërësisht e menjëherë të Urdhërit nr.219 datë 19.04.2021 “Për karantinimin e personave që vijnë në Republikën e Shqipërisë nga Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Greqia”.

Pranë institucionit të Avokatit të Popullit, një grup shoqatash të emigrantëve shqiptarë në Greqi kanë paraqitur një ankesë, në të cilën shprehet shqetësimi për propozimin më të fundit të Komitetit Teknik të Ekspertëve (Komiteti i Përkohshëm për Infeksionin e Përhapur nga Coronavirus i ri) , për vendosjen e një periudhe prej 2 javësh për emigrantët shqiptarë që jetojnë në Greqi, nëse ata do të vijnë në Shqipëri gjatë kësaj kohe.

Sipas ankesës, kjo masë e propozuar pengon dhe në fakt u mohon të drejtën e votës atyre emigrantëve që duan të ushtrojnë këtë të drejtë themelore në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, që do të zhvillohen në datën 25 Prill 2021. Në ankesë, kjo masë e propozuar shihet edhe si një trajtim diskriminues ndaj tyre, pasi emigrantët shqiptarë që jetojnë në vende të tjera lejohen të hyjnë pa u karantinuar në Shqipëri, ndërsa emigrantët shqiptarë në Greqi, jo.

Nisur nga një shqyrtim i hollësishëm i kuadrit të të drejtave të njeriut dhe praktika ndërkombëtare, Avokati i Popullit ka rekomanduar fillimin dhe përfundimin e menjëhershëm, të procedurës administrative për anulimin kryesisht, nëpërmjet nxjerrjes së një akti të ri me shkrim, që anulon tërësisht Urdhërin nr.219 datë 19.04.2021 “Për karantinimin e personave që vijnë në Republikën e Shqipërisë nga Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Greqia”, si dhe marrjen e masave për të mos penguar në menyrë sproporcionale qytetarët shqiptarë që jetojnë apo punojnë në Republikën e Greqisë apo Republikën e Maqedonisë së Veriut nga e drejta kushtetuese e votës.

(E.K/Faxweb.al)

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit