Avokati i Popullit: Viti 2020 më problematiku për të drejtat e qytetarëve

Avokati i Popullit: Viti 2020 më problematiku…

2020-a duket të jetë një ndër vitet më problematikë në kuadër të të drejtave të qytetarëve dhe ajo që bie në sy është edhe e drejta për kujdes shëndetësor.

Raporti vjetor i Avokatit të Popullit për vitin e shkuar sjell në vëmendje se pandemia nxori në pah problematikat e hershme të kujdesit shëndetësor, por edhe të reja. Më të goditurit në këtë të drejtë ishin të varfrit që u përballën me kosto të larta financiare dhe në disa raste me mos marrje të shërbimit bazë.

“Në lidhje me të drejtën e kujdesit shëndetësor, pandemia e COVID-19, thelloi, duke risjellë edhe njëherë në vëmendje problematikat e hershme, si dhe evidentoi problematika të reja, me të cilat u ballafaqua shoqëria, në raport me të drejtën e saj për kujdes shëndetësor të garantuar nga shteti. Individët e varfër dhe të cenueshëm financiarisht u përballën me kosto të larta ekonomike shtesë sa i përket kujdesit shëndetësor shoqëruar kjo edhe me mungesën e ofrimit të shërbimeve bazë të kujdesit shëndetësor gjatë vitit 2020.

Sasia e kufizuar e kursimeve, mbulimi i ulët me sigurime shoqërore dhe përdorimi relativisht i ulët i shërbimeve publike çoi në rëndim të efekteve negative afatgjata të përballje me krizën e pandemisë. Rezultoi se familjet në nevojë u prekën nga diskriminimi social si dhe u goditën më shumë nga masat kufizuese kundër COVID-19. Gjithashtu të moshuarit ishin relativisht më të predispozuar ndaj problemeve shëndetësore, më të rrezikuarit nga shpërthimi i pandemisë dhe më të shumtë në humbje jete gjatë pandemisë” vlerëson raporti.

Ashtu sikurse çdo vit edhe një herë zyra e Avokatit të Popullit ka vënë theksin tek mungesa e një minimum jetik të denjë që ende nuk është përcaktuar por që po punohet me asistencën e institucioneve të huaja. Niveli aktual i ndihmës ekonomike sipas rapirit konsiderohet si shumë i ulët për të përballuar nevojat bazike të jetesës.

“Megjithë përpjekjet për rritjen e efektivitetit dhe modernizimin e skemës së ndihmës ekonomike, disavantazhet e kësaj skeme të aplikuar në vendin tonë janë shfaqur në mungesën e mbulimit të gjerë të të gjitha familjeve që jetojnë në varfëri dhe pa mbështetje financiare. Masa e ndihmës ekonomike gjatë vitit 2020, vijoi të mbetet, në vlerësimin e qytetarëve por edhe të Avokatit të Popullit, shumë e ulët në raport me shpenzimet mujore më të domosdoshme për të mbijetuar. Duke e konsideruar si të pajustifikueshme mungesën e përcaktimit të një minimumi jetik, është iniciuar gjatë vitit 2020 me mbështetjen e UNDP, hartimi i një raporti të veçantë, “Për Standardin e Minimumit Jetik në Shqipëri”, i cili është në proces” nënvizon raporti.

I njëjti sjell edhe aspekte të tjera të trajtuara mbi të drejtën e pronës, të protestave dhe sjelljen e administratës./ Monitor

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit