Avokati Popullit: 11 persona u arrestuan në protestë, njëri u dhunua nga civilët

Avokati Popullit: 11 persona u arrestuan në…

Protesta e opozitës të martën e 20 shkurtit 2024 mblodhi në Bulevardin Dëshmorët e Kombit në Tiranë mijëra qytetarë, të cilët janë të pakënaqur nga mënyra e qeverisjes së vendit.

Protesta vijoi për më shumë se dy orë, ku gjatë saj u mbajtën fjalime nga përfaqësuesit më të lartë të Partisë Demokratike, mes tyre në një komunikim online ishte dhe ish-kryeministri Sali Berisha. Por në përfundim të saj, u regjistruan dhe disa përplasje me forcat e rendit të vendosura para kryeministrisë.

Protestuesit rrëzuan një gardh me kangjëlla teksa qëlluan në drejtim të forcave të rendit disa bomba molotov dhe mjete të tjera. Pas protestës 11 persona u shoqëruan nga Policia.

Avokati i Popullit në një reagim që ka bërë lidhur me protestën, shprehet se 4 grupe monitoruese kanë qenë në terren, të cilat më pas kanë bërë një monitorim dhe në të gjithë komisariatet e Tiranës.

Njëri prej protestuesve me inicialet A. M., ka pohuar së është dhunuar nga policët civilë gjatë momentit të arrestimit. Shtetasi në fjalë “ka shenja të dukshme lëndimi në fytyrë, enjtje dhe mavijosje në syrin e majtë dhe Avokati i Popullit i mori një ankesë e cila do të trajtohet në vijim”.

Reagimi i Avokatit të Popullit:

Institucioni i Avokatit të Popullit ka monitoruar sot pasdite protestën e organizuar nga opozita në Tiranë.

Në terren përgjatë gjithë kësaj proteste kanë qenë 4 grupe monitoruese, e më tej pas përfundimit të protestës janë monitoruar të gjitha komisariatet e Tiranës.

Përsa më sipër Avokati i Popullit bën me dije sa më poshtë vijon:

Protesta është zhvilluar përgjithësisht në një klimë paqësore, përtej disa incidenteve të lokalizuara, gjatë ecurisë së saj.

Nga monitorimi i kryer në komisariate ka rezultuar se deri në orën 22:00 ka pasur 11 të shoqëruar, vetëm në Komisariatin nr.1, të gjithë persona madhorë, ndërsa në komisariatet e tjera nuk ka pasur të shoqëruar.

Mes të shoqëruarve, një nga këta shtetas pretendon se është dhunuar gjatë kësaj proteste nga policë civilë, në momentin e ndalimit.

Shtetasi A.M kishte shenja të dukshme lëndimi në fytyrë, enjtje dhe mavijosje në syrin e majtë dhe Avokati i Popullit i mori një ankesë e cila do të trajtohet në vijim.

Avokati i Popullit thekson se e drejta e protestës paqësore është një e drejtë thelbësore, e njohur dhe e garantuar nga Kushtetuta.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit