Avokati serb homazhe në Prekaz: Askush nuk na ndalon në rrugën e pajtimit

Avokati serb homazhe në Prekaz: Askush nuk…

Çedomir Stojkoviç, një avokat serb ka zhvilluar homazhe dhe vendosur buqeta me lule mbi varrin e Blerina Jasharit, në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Stojkoviç është avokati i politikanit opozitar në Serbi Nikolla Sandulloviç, i cili u arrestua në datën 3 janar 2024, pasi zhvilloi homazhe në Prekaz dhe kërkoi falje për krimet e Serbisë. Arrestimi i Sandulloviç erdhi një ditë pasi ai publikoi disa foto në rrjetin social ‘’X”. Pas arrestimit politikani u dhunua barbarisht nga forcat serbe, dhe në shumë media ndërkombëtare u publikuan pamjet të gjendjes së tij shëndetësore teksa merrte kurim në spital.

*Foto: Nikolla Sanduloviç, politikani serb që kërkoi falje dhe u dhunua nga forcat e policisë

Avokati Stojkoviç tha se “Njëzet e pesë vjet pas luftës së Kosovës, si lufta e fundit ballkanike, vendi im arreston dhe rreh njerëz që duan pajtim mes kombeve duke vendosur lule mbi varret e fëmijëve shqiptarë. Është diçka që nuk duhet ta injorojmë. Është një paralajmërim i qartë se e keqja nuk është mposhtur, se ajo pret kohën e vet…”.

I patrembur nga kjo situatë, të njëjtin veprim ka ndërmarrë edhe avokati i politikanit Sandulloviç që u dhunua në serbi. Çedomir Stojkoviç tha se askush “nuk do të na pengojë të ecim në rrugën e pajtimit, paqes, solidaritetit dhe drejtësisë”.

7-vjeçarja Blerina Jashari është një prej anëtarëve të familjes së komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Adem Jashari, e cila u vra nga forcat serbe në vitin 1998 së bashku me më shumë se 50 anëtarë të familjes përfshirë dhe komandantin.

“Unë erdha këtu jo vetëm për të shprehur dhimbjen time për qytetarët e vrarë, pas 26 vjetësh, erdha këtu jo vetëm për të nderuar viktimat, por erdha këtu edhe për të dhënë një mesazh të qartë se ne po ndërtojmë një të ardhme më të mirë për jetën tonë. Njerëz, mos kini frikë. Nuk kemi pasur frikë dje, nuk kemi frikë sot dhe nuk do të kemi frikë nesër. Askush nuk do të na pengojë të ecim në rrugën e pajtimit, paqes, solidaritetit dhe drejtësisë”, shtoi avokati serb.

Avokati serb bëri të ditur se nesër do të kthehet në Beograd dhe i pyetur nga gazetarët nëse ndihet i frikësuar se mund të arrestohet, ai mohoi diçka të tillë duke thënë se kjo ishte dhe një sfidë për autoritetet në Serbi.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit