Personi që shihni në foton e mësipërme është Ilir Kolaveri, 40-vjeçari që humbi jetën tragjikisht në minierën e Tërnovës, në Klos, pasi u rrëzua gjatë punës dhe më pas u zu poshtë nga një masiv kromi.
Pas kësaj ngjarjeje të rëndë fshihet drama e një familjeje që mbeti pa shtyllën e saj. Ilir Kolaveri ishte baba i tre fëmijëve të mitur, dy djemve dhe një vajze, të cilët tashmë do të rriten pa praninë e të atit.
Trupi i 40-vjeçarit u nxor nga galeria pasditen e së shtunës, pas një operacioni të vështirë kërkim-shpëtimi. Këtë të hënë, familjarët, miqtë dhe të afërmit do t’i japin lamtumirën e fundit.
Në lidhje me aksidentin, Policia ka arrestuar drejtuesin teknik të kompanisë minerare, Përparim Koçi, i dyshuar për shkelje të rregullave të sigurisë në punë dhe mosmarrjen e masave të nevojshme për mbrojtjen e punëtorëve. Ndërkohë, hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj tragjedie.