Babai i Martin Canit, adoleshentit që humbi jetën pasi u godit me thikë pranë shkollës “Fan Noli”, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Apelit, duke shprehur pakënaqësinë e familjes me masën e dënimit të dhënë ndaj Mario Përlleshajt.
Engjëll Cani tha se familja kishte shpresuar për një vendim më të rëndë, duke theksuar se asnjë dënim nuk mund ta zbusë dhimbjen për humbjen e djalit të tyre.
“Kjo që na ka ndodhur, mos i ndodhtë askujt. Dhimbja jonë është shumë e madhe dhe e paimagjinueshme. Ne prisnim më shumë, një dënim më të rëndë. Dënimi është dhënë për dy vepra penale. Një i ri mund të vrasë 50 persona sot me një bombë dhe të dënohet me 12 vite burg. Siç e dini edhe ju, janë dy rrethana cilësuese. Falë Zotit që nuk pati fëmijë të tjerë aty. Sa i përket autorit, Luisi ishte i plagosur, ndërkohë që Martinin e vrau me thikë në zemër. Dhimbja jonë është shumë e madhe”, u shpreh ai.
Me vendimin e Apelit, Mario Përlleshaj u dënua me 16 vite burg, pasi u shpall fajtor për vrasjen e Martin Canit dhe plagosjen e Luis Mecës. Vendimi ka lënë të pakënaqur familjen e viktimës, e cila e konsideron dënimin të pamjaftueshëm në raport me pasojat tragjike të ngjarjes.