Sot, nga ora 09:00 deri në 12:00, palestra “Ilaz Kodra” në Skënderaj hapi dyert për homazhet në nder të Haxhi Thaçit, babait të ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili u nda nga jeta mbrëmjen e së dielës.
Në këtë ceremoni morën pjesë personalitete të njohura nga e gjithë Kosova, si dhe figura të rëndësishme nga Shqipëria, Maqedonia dhe Lugina e Preshevës, përfshirë edhe qytetarë të thjeshtë të cilët ishin të shumët. Megjithatë, në mesin e tyre mungonte biri i të ndjerit, Hashim Thaçi, të cilit Gjykata e Hagës nuk i lejoi të merrte pjesë për t’i dhënë lamtumirën e fundit të atit.
Një nga momentet më prekëse të homazheve ishte fjalimi i nipit të Haxhi Thaçit, Endritit, i cili, pasi falënderoi të gjithë të pranishmit, shprehu dhimbjen për mungesën e babait të tij në këtë ditë të rëndësishme.
“Babin nuk e lejuan të jap lamtumirën e fundit, nuk e lejuan të gjuaj një grusht të dheut të Drenicës, por në vend të babit sot ka ardhur Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Lugina,” –ishin fjalët prekëse të Endrit Thaçit.