
Një 80-vjetor që do të mbahet mend gjatë… Fëmijët e një babai nga Tirana, i cili mbushi 80 vite jetë vendosën t’i dhuronin atij një surprizë të paharrueshme duke e çuar për një fluturim me helikopter drejt vendlindjes së tij në Sopot, Librazhd.
Në këtë ditë të veçantë, ata donin t’i rikthenin babait të tyre një copëz nga e kaluara, një ndjesi që prek zemrën dhe ngroh shpirtin. Përmes kësaj surprize ajrore, ai pati mundësinë të shihte nga lart tokën ku hodhi hapat e parë, një përjetim që, siç shprehen të afërmit, ngjalli mallëngjim dhe gëzim të madh.
Ata shpresojnë që ndjesia e lirisë dhe qetësisë, e përjetuar gjatë kësaj xhiroje mbi Sopot, të mbetet përherë në zemrën e babait të tyre të dashur.
“Përshëndetje JOQ!
Kishte babi ditëlindjen, bëri 80 vjeç dhe i bëmë një surprizë: një xhiro me helikopter deri në vendlindje, Sopot, Librazhd. Ju lutem, mund ta postoni?
Gëzuar 80-vjetorin, babi i dashur!
Sot, në këtë ditë të shënuar, ne fëmijët donim të të rikthenim një copëz nga e kaluara jote, një ndjesi që të prek zemrën dhe të ngroh shpirtin — ndaj të çuam atje ku filloi gjithçka: në vendlindjen tënde, por këtë herë nga qielli, si një ëndërr që fluturon.
80 vite jetë, plot përvoja, sakrifica, buzëqeshje dhe dashuri. Je themeli i familjes sonë, shembulli ynë i forcës dhe përulësisë, burimi ynë i mençurisë dhe zemrës së madhe.
Kjo surprizë nuk është asgjë në krahasim me gjithçka që ke dhënë për ne. Shpresojmë që ajo ndjesi lirie, qetësie dhe mallëngjimi nga ajri, mbi tokën ku hodhe hapat e parë, të mbetet përherë në zemrën tënde.
Të duam pafund dhe jemi krenarë që jemi fëmijët e një babai kaq të jashtëzakonshëm. Me dashuri dhe mirënjohje të pafund,
Fëmijët e tu 💙