Emigrimi i paligjshëm i shqiptarëve, duke rrezikuar jetën për të shkuar në Angli vijon. Shumë të rinj nga Shqipëria zgjedhin të largohen nga vendlindja në drejtim të Britanisë së Madhe për një jetë më të mirë. Jemi në prag festash dhe bandat kriminale po vijojnë me biznesin e tyre, teksa ofrojnë këtë sezon për emigrantët e paligjshëm, të cilët duan të shkojnë në Britani.
DailyMail shkruan se kontrabandistët e njerëzve po përdorin reklama në mediat sociale për të promovuar marrëveshje me çmime më të ulëta, me një tarifë prej 5 mijë paund për person gjatë Krishtlindjeve, një zbritje prej 37,5 për qind, nga 8 mijë paundët e zakonshme. Në TikTok një reklamë me një fotografi të pemës së Krishtlindjes në Covent Garden në Londrën Qendrore, u premton azilkërkuesve që përpiqen të kalojnë në MB një normë ‘100 % sukses’.
Në Instagram një reklamë për të ikur me kamion ofron një çmim për një udhëtim më 20 dhjetor, ku një person do të paguajë 6 mijë paundë dhe nëse janë dy persona do të paguajnë 5 mijë paundë secili. Bandat po përqendrojnë gjithnjë e më shumë reklamat e tyre në ofertat për të çuar emigrantët në Britani me kamionë, ndërsa një reklamë ofron një marrëveshje për t’i kontrabanduar ata me avion për 14,000 paund për person.