Banka “fantazmë” izraelite merr në dorë të dhënat e shqiptarëve: kush fshihet pas JET Bank, Fatbardha Rino dhe rreziqet e bankimit online

Banka “fantazmë” izraelite merr në dorë të…

JET Bank rezulton të jetë një sajesë tërësisht shqiptare, pasi ajo nuk ekziston në asnjë vend të botës, nuk ka operuar kurrë më parë, dhe futja e saj përbën një eksperiment të pastër me shumë rreziqe. Dhe si për t’i vënë kapakun e ironisë burokratike, shteti shqiptar po i lejon kësaj banke fantazmë akses të plotë në “e-Albania”, duke i dorëzuar në duar të huaja të dhënat më sensitive dhe personale të qytetarëve, ndërkohë që në krye të saj si CEO figuron si marionetë Fatbardha Rino.

Prapaskenat janë po kaq “interesante”: sipas dokumenteve dhe pretendimeve që qarkullojnë, Oliver Hemmer figuron si drejtues menaxhues i kompanisë GRF Europe OU – e cila ka vepruar në emër të 4XFX, një subjekt i lidhur me shtetasin izraelit Gal Barak, i dënuar në Austri me katër vite burg për skema mashtrimi call center-ash në Gjermani, Austri, Spanjë e Britani të Madhe. Po kështu, Oliver Hemmer figuron si drejtues i kompanisë Constador LTD në Qipro, e cila sipas këtyre pretendimeve zotëron rreth 71% të JET Bank.

Nëse i kthehemi faqes zyrtare, gjithçka nisi pasditjen e 3 dhjetorit 2025, kur Banka e Shqipërisë vendosi t’i japë miratimin paraprak për licencim kësaj banke të parë dixhitale. Sipas burokratëve, ky është një model “i thjeshtë, i sigurt dhe i përqendruar te klienti”. Por po t’i heqësh fjalët e bukura të marketingut, shqiptarëve po i servohet një listë e gjatë rreziqesh, ku askush nuk mban përgjegjësi fizike dhe ku loja ngjan me tregun e kriptomonedhave, me të vetmin ndryshim se nga JET Bank askush nuk pret fitime si nga Bitcoin.

Kjo “bankë fantazmë” që nuk shihet e nuk preket nga askush sjell rreziqe kolosale për të dhënat dhe paratë e qytetarëve. Në një vend ku hakerat e huaj kanë dëshmuar se futen fiks si në shtëpinë e tyre në sistemet më të ndjeshme shtetërore, të lëshosh një bankë që ekzistoka vetëm në serverë “cloud” pa asnjë dokument real është një kërcënim i hapur. Verifikimi i identiteti nëpërmjet videos mund të manipulohet sa herë të duan keqbërësit, algoritmet mund të ndryshohen pa ngritur asnjë alarm, ndërsa ekspertiza reale e atyre që do t’i administrojnë këto sisteme mbetet një mister i plotë. Kjo e kthen platformën në parajsën ideale të pastrimit të parave, ku pronarët e fshehtë dhe fondet e dyshimta qarkullojnë me lehtësi maksimale.

Mos pandehni se këto janë fantazi, sepse bota e ka provuar se si bankat dixhitale shpërthejnë si mina me sahat brenda pak orësh. Në Gjermani, banka dixhitale N26 u vu nën hetim dhe u ndëshkua nga rregullatori BaFin pikërisht për probleme masive me verifikimin e klientëve, infrastrukturë të mangët IT dhe pastrim parash. Skandali legjendar i Wirecard po në Gjermani solli një kolaps global prej 1.9 miliardë eurosh, duke bllokuar 100% qindra mijëra klientë që mbetën pa akses te paratë e tyre. Për më tepër, mbyllje, pezullime apo hetime të ngjashme kanë goditur neobanka në Britani (Monzo, Revolut, Wirecard UK), SHBA (Simple Bank, Azlo Bank, Beam Financial), Brazil, Meksikë, Lituani, Letoni dhe Hollandë, kryesisht për shkak të skemave të pastrimit të parave, mungesës së fitimit dhe kostove stratosferike teknologjike.

Për Shqipërinë, licencimi i JET Bank po hap kështu një “Kuti Pandore” të vërtetë, duke u kthyer në një “Sudje dixhitale” për qytetarët. Konsumatori është gjithmonë i sakrifikuari i parë: nëse një llogari bllokohet, nuk ka një sportel fizik, një derë apo një njeri ku të ankohesh, dhe askush nuk e di se sa muaj duhet të presësh për një përgjigje. Ndërkohë, BSH na njofton se banka do të zotërohet 100% nga shoqëria holandeze “Jet Holdings B.V.” nën drejtimin e investitorit izraelito-britanik Idan Avishai  i cili sipas të dhënave të disponueshme në platformat profesionale, lidhet kryesisht me marketingun dhe aktivitetin e platformave të tregtimit online, veçanërisht në sektorin e CFD-ve dhe Forex-it. Përvoja e tij nuk rezulton e lidhur drejtpërdrejt me bankingun tradicional, fakt që bie në kontrast me politikat e deklaruara ndër vite nga Banka e Shqipërisë për licencimin e subjekteve bankare. . Mbetet për t’u kuptuar: a është ky një shërbim i domosdoshëm, apo një alibi e rrezikshme për të futur në tregun shqiptar një sajesë që nuk ka operuar kurrë më parë askund tjetër në botë, duke bërë një eksperiment të pastër me xhepat e qytetarëve?

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit