Banka Qendrore e Austrisë: 40% e shqiptarëve preferojnë t’i ruajnë vetë paratë

Banka Qendrore e Austrisë: 40% e shqiptarëve…

Preferenca për të ruajtur kursimet jashtë sistemit bankar shënoi rritje të shpejtë gjatë periudhës 2019-2020, sipas një anketë të bërë nga Banka Qendrore e Austrisë (OeNB-Euro-Survey) në vendet e Europës Juglindore, ku përfshihet edhe Shqipëria.

Në Shqipëri, afërisht 40% e personave që kishin kursyer preferonin t’i mbanin ato jashtë sistemit bankar. Zgjedhja për të mbajtur kursimet jashtë bankave shënoi rritje të shpejtë në krahasim me vrojtimin që u krye për periudhën, 2017-2018, ku vetëm 26% e personave që kishin kursime preferonin t’i mbanin ato jashtë bankave.

Tendenca për mbajtur kursimet jashtë bankave ka shënuar rritje në katër vitet e fundit, edhe si pasojë e interesave të ulëta që ofrojnë bankat. Sipas Vrojtimit, Serbia është vendi me preferencën më të lartë për t’i mbajtur kursimet jashtë bankave. Gjatë 2019-2020, rreth 52% e personave me kursime kanë pohuar se preferojnë t’i mbajnë ato jashtë bankave.

Përqindje të lartë mosbesimi kanë edhe rumunët dhe kroatët me përkatësisht 42 dhe 44% të kursimtarëve që preferojnë t’i administrojnë ato jashtë bankave.

Çekët dhe bullgarët janë më të prirë për t’u besuar bankave, pasi kanë një përqindje shumë më të ulët se mesatarja e vendeve të Europës Juglindore të atyre që preferojnë të mbajnë paratë jashtë bankave.

Ekspertët e Bankës Qendrore të Austrisë, duke analizuar fenomenin, thonë se mungesa e besimit në sistemin bankar (në veçanti një mungesë e perceptuar e sigurisë së depozitave) është një faktor kryesor në shpjegimin e preferencës së fortë të individëve për të mbajtur kursimet në shtëpi.

Për më tepër, kornizat e dobëta institucionale, p.sh. cilësia e dobët e zbatimit të ligjit si dhe një depërtim i ulët i bankave në rajonet rurale, përbëjnë faktorë të rëndësishëm që shpjegojnë zgjedhjen për para cash.

Tendenca për të mbajtur kursimet cash në Shqipëri është materializuar me rritjen e qarkullimit e parasë jashtë bankave.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit