
Prej muajsh, banorët e lagjes pranë varrezave tek zona e njohur si “5009” në Bathore denoncojnë një situatë të papranueshme me grumbullimin e mbeturinave. Sipas tyre, makina e pastrimit kalon natën thjesht për procedurë, por nuk i mbledh plehrat duke i lënë aty për javë të tëra. Në këtë zonë jetojnë rreth 30 familje, ndërsa fëmijët luajnë pranë pirgjeve të plehrave, ku siç shkruan qytetarja mund të jenë fshehur edhe gjarpërinj. Përveç ndotjes së jashtëzakonshme, banorët denoncojnë edhe gjendjen katastrofike të rrugës, që mbetet e paasfaltuar dhe e rrezikshme për kalimtarët. Ironikisht, ndërkohë që mjedisi nuk mirëmbahen fare, institucionet janë kujtuar të vijnë për të vendosur sahatin e ujit, duke kërkuar pagesën për shërbimin që vetë banorët e kishin kërkuar vite më parë.
“Ne bathore, sipër varrezave tek 5009. Janë bere muaj qe nuk vijne ti marrim vjen makina e mbeturinave naten sa per te thene qe ka ber detyren dhe kthehen poshte boshe nuk i mbledhin i lene ne menyre te tille per muaj. Eshte nje lagje mjaft e madhe ka femije qe luajnë pafund. Dhe tek ky grumbull. Mund te jen mbledhur 10 gjarpërinj per te mos folur per rrugen pastaj qe eshte ne mënyrë skandaloze. Jemi ne 2025 dhe ne nje lagje qe mund te jetojmë 30 familje kjo eshte gjendja. Dhe per me teper po vijn per te vendosur sahatin e ujit se duan lek normalisht, qe ka qen kërkesa nga ne qe para disa vitesh sot per nje rruge dhe per mirëmbajtje ambienti nuk kujdeset askush”, shkruan qytetari për JOQ.
Qytetarët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga Bashkia Kamëz me në krye Rakip Sulin dhe institucionet përkatëse për pastrimin e zonës, rregullimin e infrastrukturës dhe mbrojtjen e fëmijëve nga rreziqet e drejtpërdrejta të plehrave dhe kafshëve të rrezikshme.