Një qytetare që jeton në zonën e Mëzezit në periferi të Tiranës, i është drejtuar redaksisë sonë për të ngritur një shqetësim që lidhet me heqjen e mbikalimit që ndodhej sipër autostradës Tiranë-Durrës.
Sipas saj, mbikalimi ka gati dy muaj që është hequr, për shkak të zgjerimit të rrugës, por askush nuk është kujtuar që ta vendosë. Me afrimin e fillimit të vitit të ri arsimor, qytetarja ngre shqetësimin se si do të mund të kalojnë rrugën fëmijët, për të shkuar në shkollë.
“Tani që po afron shkolla, nga i bie të kalojmë ne bashkë me fëmijët që e kanë shkollën në anën tjetër?,” pyet ajo.
Kjo situatë kërkon ndërhyrje të menjëhershme dhe një zgjidhje imediate të këtij problemi që është kthyer në një shqetësim real për komunitetin, pasi çdo ditë u duhet të rrezikojnë jetën e tyre, për të kaluar autostradën përmes trafikndarëseve.
Denoncimi i plotë:
Përshëndetje JOQ! Jam një qytetare e Mëzezit, ku ka pothuajse 2 muaj që kanë hequr mbikalimin dhe nuk shihet asnjë përpjekje për ta vënë mbrapsht. Tani që po afron shkolla, nga i bie të kalojmë ne bashkë me fëmijët që e kanë shkollën nga ana tjetër? Dhe për ata persona që thonë se nuk i duhej mbikalimi se kalonin mes rrugës, mos flisni gjëra të pavërteta nëse nuk jetoni këtej.