Banorët e Rrjollit kanë njoftuar se ditën e sotme, në orën 10:00, do të zhvillojnë një protestë kundër punimeve që po kryhen në kuadër të projektit turistik “Blue Borgo” të oligarkut Baç Ulaj.
Në prag të tubimit publik, kompania Gener 2 ka reaguar përmes një deklarate, ku shprehet se respekton të drejtën kushtetuese të qytetarëve për të protestuar në mënyrë paqësore, por thekson se kjo e drejtë nuk duhet të shoqërohet me akte dhune, vandalizmi apo dëmtim të pronës private.
Sipas kompanisë, gjatë protestës së zhvilluar më 13 qershor janë dëmtuar rrethimet e kantierit dhe janë shkaktuar dëme materiale brenda territorit të investimit. Gener 2 bën të ditur se këto raste janë dokumentuar dhe janë referuar pranë organeve kompetente për ndjekjen e mëtejshme.
Në deklaratë, kompania u bën thirrje institucioneve përgjegjëse që të marrin të gjitha masat e nevojshme për të garantuar mbarëvajtjen paqësore të protestës, si dhe për të parandaluar çdo tentativë për hyrje të paautorizuar në kantier apo akte që mund të cenojnë sigurinë.
Kompania e oligarkut thekson se mbrojtja e pronës private, siguria e punonjësve dhe garantimi i një klime të qëndrueshme për investimet përbëjnë detyrime të shtetit ligjor dhe janë në interes të të gjithë qytetarëve.