Banorët e rrugës "Memo Meto" në Tiranë: Jetojmë mes mbeturinave!

Banorët e rrugës “Memo Meto” në Tiranë:…

Banorët që jetojnë pranë “Rrugës Memo Meto”, ngjitur me Ferit Xhajkon dhe përballë dritareve të Drejtorisë së Gjelbërimit dhe Pastrimit të Bashkisë Tiranë, po vuajnë prej më shumë se 2 vitesh një situatë të papranueshme.

 

Era e rëndë e mbeturinave, zhurma e kamionëve që mbërrijnë deri në orët e para të mëngjesit dhe mungesa totale e gjelbërimit kanë kthyer jetesën në këtë zonë në një makth të përditshëm.

 

Kemi bërë ankesa në aplikacionin ‘Tirana Ime’, kemi telefonuar dhe kemi kontaktuar me bashkinë. Inspektorët erdhën pas shumë përpjekjesh, por për 3 ditë thoshin ‘nuk e gjejmë vendin’, edhe pse u kishim dërguar foto, koordinata dhe harta,” – thotë një nga banorët.

Pavarësisht premtimeve për ndërhyrje, asgjë nuk ka ndryshuar. Plehrat janë ende aty. Ambienti që duhet të ishte i gjelbër dhe i kthyer në një hapësirë publike për komunitetin, është kthyer në një pikë grumbullimi mbeturinash.

 

“I kemi kërkuar Bashkisë që ta kthejë këtë hapësirë në një zonë të gjelbër. Nëse nuk na e bëjnë gjelbërim dhe vendosin të ndërtojnë pallate, më mirë të jetojmë me plehra sesa me më shumë beton,” – shtojnë banorët, të cilët e ndjejnë veten të braktisur.

Banorët i bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve që ndodhen në situata të ngjashme të denoncojnë vazhdimisht.

“Nuk kërkojmë luks, thjesht kushte minimale jetese, të mos jetojmë në plehra, ndërkohë që punonjësit e bashkisë marrin pagë nga taksat tona.”

 

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit