
Mungesa e nënkalimeve e ka kthyer Rrugën e Arbrit në burim rreziku, duke izoluar banorët e dy fshatrave në Klos dhe vënë jetën e tyre në rrezik të përhershëm.
Banorët e fshatrave Shkallë dhe Xibër Murrizë në bashkinë Klos kanë ngritur zërin për mungesën e infrastrukturës së përshtatshme për këmbësorë në Rrugën e Arbrit. Sipas tyre, rruga e re, që përshkon zonën mes për mes, i ka ndarë fshatrat dhe i ka izoluar banorët nga njëri-tjetri.
Prej kohësh, komuniteti ka kërkuar zgjidhje nga kompania ndërtuese “Gjoka Konstruksion”. Ata kanë kërkuar që në projekt të përfshihen nënkalime apo rrugë dytësore për të garantuar kalimin e sigurt të këmbësorëve. Por pavarësisht kërkesave të përsëritura, asnjë prej tyre nuk është marrë parasysh.
Sipas banorëve, që prej ndërtimit të rrugës, kalimi në të është bërë tepër i rrezikshëm, sidomos me praninë e mjeteve të tonazhit të rëndë që qarkullojnë në mënyrë të pandërprerë. Kjo ka sjellë jo vetëm izolim të komunitetit, por edhe rrezik real për jetën, sidomos për fëmijët dhe të moshuarit.
Nga zona e tuneleve të fshatit Shkallë e deri në Tunelin e Murrizit, Rruga e Arbrit nuk ka asnjë hapësirë të veçantë për kalimin e këmbësorëve. Asnjë trotuar, asnjë mbrojtje, asnjë shenjë paralajmëruese – vetëm një rrugë e ndarë në dy korsi, ku makinat kalojnë me shpejtësi të lartë.
Banorët raportojnë se janë shënuar aksidente në këtë segment rrugor, të cilat mund të ishin shmangur me ndërtimin e strukturave mbrojtëse. Ata kërkojnë ndërhyrje urgjente nga autoritetet për të shmangur tragjedi të tjera.
Apeli i komunitetit është i qartë: Rruga e Arbrit duhet të shërbejë për zhvillim dhe jo për përjashtim. Siguria e jetës duhet të vihet në plan të parë.