Tronditja nga vrasja e 20-vjeçarit Johan Zhuko pasditen e sotme në Korçë ka lënë pa fjalë banorët e pallatit ku ndodhi ngjarja e rëndë. Njëra nga banoret e ndërtesës, ka rrëfyer momentet e para të tmerrit menjëherë pas të shtënave me armë zjarri.
Ajo tregon se ndodhej brenda në shtëpi së bashku me nënën e saj kur dëgjoi një zhurmë të fortë, duke menduar fillimisht se diçka kishte plasur apo se ndonjë fqinj mund të kishte rënë nga shkallët.
“Unë isha brenda në shtëpi. Dëgjova një zhurmë të madhe, sikur plasi diçka. I thashë mamit se do të dilja të shikoja çfarë po bëhej, mos kishte rënë ndonjë njeri nga shkallët që ta ndihmoja,” tregon ajo.
Pasi doli me vrap në shkallët e pallatit, banorja u përball me skenën e rëndë ku 20-vjeçari dergjej i shtrirë në tokë.
“Ngjitem unë me vrap dhe shikoj një njeri të shtrirë poshtë në tokë, barkas. Nuk e mblidhja dot veten fare. Pashë djalin të shtrirë poshtë, rreth dy metra, dhe po i rridhte gjak nga koka. Nuk e harroj atë skenë,” rrëfen ajo.
Sipas saj, viktima nuk ishte banor i atij pallati dhe nuk njihej nga komuniteti lokal.
“Nuk e njohim fare. S’është i pallatit, nuk është i pallatit tonë. Nuk e njihja fare. Nuk e di as ku banonte. Është tmerr. Një tronditje e madhe. Është tmerr i Zotit,” u shpreh ajo mes emocioneve.
Banorja ngriti gjithashtu shqetësimin për pasigurinë në lagje, duke theksuar se në atë ambient luajnë çdo ditë fëmijët: “Ne këtu na luajnë fëmijët çdo ditë. Nuk e kuptoj çfarë po bëhet. Unë nuk e preka me dorë. Por atë skenë nuk e harroj.”