Barbie e AKU-së dhe Ken-i i Bujqësisë kokë më kokë: Kujt t’ia hedhin fajin për helmimin e shqiptarëve?

Barbie e AKU-së dhe Ken-i i Bujqësisë…

Nëse do të kërkonim një alternativë se ku do të shkëlqenin më shumë drejtuesit tanë, podiumi i modës do të kishte fitues të padiskutueshëm: Barbie e AKU-së, Blerina Gjylameti, dhe Ken-i i Ministrisë së Bujqësisë, Andis Salla! Me pozat, kostumet dhe elegancën e tyre prej manekinësh, ata do të bënin shumë më mirë të konkurronin për “Miss & Mister Albania 2027”, sesa të mbanin të bllokuara karriget ku duhet të garantojnë shëndetin e qytetarëve, sidomos tani që tryezat e çdo familjeje janë shndërruar në një terren eksperimentesh kimike.

Sepse, ndërkohë që dy personazhet tanë shkëlqejnë në fasadat zyrtare, ajo që ka ndodhur realisht në terren është për t’i vënë duart në kokë! Së pari, erdhi alarmi i ujit të pijshëm në Vlorë, ku analizat dëshmuan praninë e baktereve të lidhura me ndotjen fekale. Dhe, si për t’i vënë kapakun, katër fletëanaliza të fundit të tetorit zbuluan se mostrat e qumështit përmbanin nivele të aflatoksinës M1 deri në 208% mbi kufirin e lejuar nga BE-ja — një substancë e rrezikshme kancerogjene për mëlçinë, e cila rrezikon të përfundojë te fëmijët përmes kosit dhe djathit. Për ta bërë pikturën edhe më të zezë, ekspertët na kujtojnë se 64% e importuesve dhe përpunuesve të miellit e drithërave nuk janë kontrolluar fare gjatë pesë viteve të fundit!

Tani që përgjegjësia endet korridoreve si një top futbolli që askush nuk guxon ta kapë, sekreti i kësaj amullie duhet kërkuar te vetë autorët e saj. E ndërsa Blerina dhe Andis i kanë ngjitur shkallët e karrierës politike jo përmes meritës, rezultateve apo zgjidhjes së krizave, por duke u stërvitur për vite të tëra në artin e heshtjes, bindjes së verbër ndaj partisë dhe buzëqeshjeve fotogjenike mbi çdo dështim, mëlçitë e qytetarëve po mbushen me toksina. Për ta, çdo skandal ushqimor është thjesht një tapet i kuq drejt shkallës së radhës së pushtetit, ndërsa për shqiptarët e mjerë, e vetmja gjë e sigurt që mbetet në tryezë është fakti se shteti kujtohet për ta vetëm për t’u prerë ujin ose për t’u sjellë gjobën e radhës!

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit