Bardh Spahia po blen vota?/ Kapet furgoni i drejtorisë arsimore, po shpërndante qese me ushqime

Bardh Spahia po blen vota?/ Kapet furgoni…

Me 50 qese me ushqime dhe me manualin sesi duhet votuar Bardh Spahia, kështu është kapur një furgon i drejtorisë arsimore në Shkodër. Mjeti i administratës publike është ndaluar mesditën e kësaj të premte duke qarkulluar në zona të ndryshme të Shkodrës. Policia njofton se ka arrestuar në flagrancë dy punonjës të bashkisë si dhe drejtuesin e Drejtorisë Ekonomike të Drejtorisë Arsimore.

Nuk bëhet me dije se këta persona ishin vënë nën shërbim të kryetarit aktual të bashkisë, Bardh Spahia, për të blerë vota nëpërmjet dhurimit të qeseve me ushqime. Dyshimet lidhen me faktin se në furgon kishte një manual sesi votohet për Spahian dhe foton e tij elektorale. Ka dyshime se ngjarja mund të jetë e stisur edhe nga kundërshtarët socialistë, të cilët prej 30 vitesh “ëndërrojnë” të marrin nën kontroll të vetminë bastion të sigurtë të demokratëve.

Shkodër/Informacion paraprak

Rreth orës 13:00, shërbimet e Policisë kanë ndaluar për kontroll, automjetin me drejtues shtetasin P. D., 49 vjeç dhe pasagjer shtetasin M. V., 63 vjeç.

Gjatë kontrollit në këtë automjet janë gjetur 50 qese me ushqime të ndryshme.

Pas verifikimeve ka rezultuar se automjeti ishte në administrim të Drejtorisë Ekonomike të Drejtorisë Arsimore Shkodër.

Shtetasit P. D. dhe M. V. (punonjës të bashkisë Shkodër), janë shoqëruar në ambientet e Policisë, së bashku me shtetasin E. I., 31 vjeç, me detyrë Drejtor i Drejtorisë Ekonomike të Drejtorisë Arsimore Shkodër, për t’u pyetur në lidhje me këtë rast.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, vijon veprimet e thelluara procedurale dhe hetimore, për sqarimin e rrethanave të këtij rasti.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit