Ndërsa dosja penale dhe ekonomiko-financiare e landfillit të Tiranës vazhdon të mbetet nën një masë sekuestroje preventive prej gati katër vitesh, fondet publike të bashkive shqiptare vijojnë të rrjedhin drejt llogarive të kompanisë të lidhur me Klodian Zoton dhe Mirel Mërtirit.

Sipas një dokumenti të datës 28 shtator 2026, listës së institucioneve lokale që depozitojnë mbetjet në landfillin e Tiranës i është shtuar edhe Bashkia e Krujës. Nëpërmjet një procedure të posaçme prokurimi, kryebashkiaku i Krujës, Artur Bushi, së bashku me komisioni përkatës, kanë shpallur fituese kompaninë “Integrated Energy BV SPV” sh.p.k. Kompania në fjalë ishte e vetmja pjesëmarrëse në tender, duke i dhënë procesit një karakter pa garë reale.

Vlera e kontratës 1-vjeçare të nënshkruar kap shifrën e 681 milionë lekëve të vjetra me TVSH, ose e thënë ndryshe sa 99% e fondit limit të parashikuar nga bashkia. Këto para nga taksat e qytetarëve të Krujës do të arkëtohen drejtpërdrejt në llogarinë e kompanisë private me pronarë faktikë Zoton dhe Mërtirin të cilët sipas mediave fshihen pas kompanisë “GeoGenix BV”, në emër të shtetasit italian Alberto Presezzi dhe dy francezëve Max Abitbol e Dominique Marcelle Obadia Abitbol.

Situata krijon një paradoks ligjor e financiar. Me Vendimin Nr. 95, datë 28 korrik 2023 të Gjykatës së Posaçme, landfilli i Tiranës është vendosur nën sekuestro preventive. Në bazë të këtij statusi, shteti, nëpërmjet Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara e Konfiskuara, vepron vetëm si administrator formal për të parandaluar tjetërsimin e aksioneve apo aseteve.

Megjithatë, për sa kohë aseti mbetet në sekuestro preventive dhe nuk konfiskohet përfundimisht për t’i kaluar shtetit, të gjitha të ardhurat dhe fitimet nga depozitimi i mbetjeve administrohen dhe përfitohen 100% nga kompania “Integrated Energy BV SPV”.
Me përfshirjen e Krujës, numri i njësive vendore që dërgojnë mbetjet në këtë landfill rritet më tej. Përveç 5 bashkive të Qarkut të Tiranës, Durrësit dhe Shijakut, tanimë edhe miliona lekë të tjera nga taksapaguesit e Krujës do t’i shtohen llogarive private të pronarëve faktikë të incineratorit.