Një nënë ka denoncuar në redaksinë e JOQ Albania një rast që, sipas saj, ka ndodhur në kopshtin shtetëror nr. 13 në lagjen Çole të Vlorës.
Ajo pretendon se edukatorja u ka kërkuar prindërve nga 15 mijë lekë të vjetra për rregullimin e kopshtit, shumë që, sipas saj, duhet të dorëzohet deri në fund të muajit.
Denoncuesja thotë se kërkesa i ka bërë përshtypje, pasi kopshti ishte rikonstruktuar gjatë verës dhe, sipas saj, ishte bërë e ditur se ndërhyrja do të kryhej nga Bashkia Vlorë. Ajo shprehet se edukatorja u ka thënë prindërve të japin shumën për “rregullimin” e kopshtit, ndërsa nuk është bërë e qartë se për çfarë konkretisht do të përdoren paratë.
Nëna, e cila kërkon t’i ruhet anonimati nga frika se vajza e saj mund të trajtohet keq nëse identifikohet, thotë se përveç kësaj paguan edhe rreth 30 mijë lekë të vjetra në muaj për ushqimin e fëmijës, pavarësisht se bëhet fjalë për një kopsht shtetëror.
Ajo pranon se nuk disponon prova për kërkesën e pretenduar, ndaj JOQ Albania e përcjell rastin si denoncim të saj dhe i drejtohet institucioneve përkatëse për të sqaruar nëse prindërve u është kërkuar kjo pagesë dhe, nëse po, për çfarë qëllimi.
Bashkia Vlorë dhe drejtuesit e kopshtit mund të japin sqarimet e tyre lidhur me këtë rast.