Bashkia Tiranë i mbush xhepat plot me miliona Hervin Forës që garoi i vetëm

Bashkia Tiranë i mbush xhepat plot me…

Përsëri ajo! Përsëri bashkia më e madhe në vend! Përsëri një tjetër tender i cili ngre pikëpyetje. Bashkia Tiranë vazhdon përsëri “avazin” e saj duke organizuar tendëra që më sa paku kanë brenda një dyshim. Bëhet fjalë për rastin më të fundit në lidhje me një procedurë prokurimi të realizuar nga institucionet në varësi të kësaj bashkie. Më konkretisht flitet për Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit, e cila është në varësi direkte të bashkisë së drejtuar nga Erion Veliaj.

Ky institucion ka organizuar një tender që mban numrin e referencës REF-94621-05-05-2021 dhe ka për objekt “Shërbime të Tjera -Shërbim Dezinsektimi në Parqe dhe Objekteve në Parqe”. Fondi limit i këtij tenderi është 1,666,667 lekë të reja pa TVSH. Duke hulumtuar dokumentacionin e tenderit vihet re një fakt mjaft i çuditshëm. Në të ashtuquajturën garë ka marrë pjesë vetëm një kompani. Bëhet fjalë për firmën AIR e cila është në pronësi të Hervin Forës, Alban Meça, Erdit Xhengo dhe Engjëll Hoxha.

Me siguri emri Hervin Fora ju duket i dëgjuar. Sigurisht që është i dëgjuar, pasi është përmendur shumë herë si përfitues i shumë miliardave në mënyrë të dyshimtë nga ana e institucioneve shtëtërore, kryesisht në fushën e shëndetësisë. Me sa duket nuk i ka shpëtuar as ky rast, ndonëse bëhet fjalë për “kafshata të vogla” në krahasim me çfarë ka fituar më parë. Natyrisht duke qenë pjesëmarrësja e vetme në tender, firma AIR është shpallur edhe fituese. Vlera e ofruar është 1,638,000 lekë të reja pa TVSH ose rreth 20 milionë lekë të vjetra. Përveç kësaj, shihet mjaft qartë gjithashtu që vlera fituese është gati e barabartë me vlërën e fondit limit, përkatësisht sa 98.27% e tij.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit