Bashkia Tiranë si Shtëpia e Bardhë: KPP rrëzon tenderin 465 mln lekë të Anuela Ristanit

Bashkia Tiranë si Shtëpia e Bardhë: KPP…

Kriteret e tenderit për mobilimin e zyrës së kryetares Anuela Ristani rrëzohen nga Komisioni i Prokurimit Publik si të padrejta dhe të personalizuara

Një vendim i rëndësishëm i Komisionit të Prokurimit Publik (KPP), i marrë më 16 qershor 2025, ka tronditur një ndër tenderët më të bujshëm të Bashkisë Tiranë. Bëhet fjalë për tenderin e mobilimit të zyrës së kryetares së komanduar, Anuela Ristani.

Vendimi erdhi pas një ankese të operatorit ekonomik “Klame” SHPK, i cili më 2 qershor kërkoi modifikimin e dokumentacionit të tenderit me objekt “Blerje pajisje dhe orendi për nevoja të institucioneve të Bashkisë Tiranë”. Procedura ishte planifikuar të zhvillohej më 23 qershor dhe kishte një fond prej 465 milionë lekësh pa TVSH.

Në qendër të këtij tenderi qëndronte mobilimi total i zyrës së kryetares. Anuela Ristani, pasi mori detyrën në shkurt 2025 pas arrestimit të Erion Veliajt për korrupsion, vendosi të largojë të gjitha mobiljet ekzistuese dhe të pajisë ambientet me mobilie të reja, sipas një liste të gjatë dhe specifike.

Lista përfshin artikuj luksozë si poltron rrotullues me standarde europiane, tavolinë ovale e ngjashme me atë të Shtëpisë së Bardhë, komplete kolltukësh, pasqyra të veçanta, kasafortë sekrete dhe garderoba të personalizuara. Tenderi u ndarë në dy lote, për zyra dhe për institucione të tjera të bashkisë, me një fond total prej rreth 473 mijë euro pa TVSH.

Për habinë e shumëkujt, afati për sjelljen e mobilieve ishte caktuar plot një vit. Por më i çuditshëm mbetet kriteri për testimin e kolltukut rrotullues jashtë Shqipërisë, i cili do t’i kushtonte bashkisë mbi 10 mijë euro vetëm për laboratorët e huaj.

Sipas “Klame” SHPK, këto kushte ishin të qepura sipas një kompanie të caktuar. Ata theksuan se kriteret, si kërkesa për testime jashtë vendit dhe për automjete mbi 1.5 ton, janë diskriminuese dhe në kundërshtim me ligjin për prokurimet publike.

Në Shqipëri nuk ekziston asnjë laborator i akredituar për testimin e mobilerive, sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Standardizimit. Për rrjedhojë, çdo kompani duhet të prodhojë mobiliet, të presë certifikimin jashtë shtetit dhe të paguajë mijëra euro shtesë.

KPP pranoi ankesën dhe e cilësoi kriterin për testimin jashtë si “të ekzagjeruar dhe të paargumentuar”. Po ashtu u rrëzua edhe kushti për automjete të rënda, pasi sasia e mobilieve nuk e justifikon përdorimin e tyre. Një tjetër kriter i diskutueshëm ishte edhe kërkesa për ambiente magazinimi mbi 1000 m², gjë që, sipas kompanive, është e panevojshme pasi ambientet e tyre janë tashmë të licencuara dhe të kontrolluara nga institucionet përkatëse.

Në dokumentin e ankesës theksohet gjithashtu se, nëse një kompani ka pasur qasje paraprake në specifikimet teknike të tenderit, kjo përbën shkelje të barazisë dhe mund të çojë në hetim penal.

Lista e produkteve që kërkohen në tender është e gjatë dhe e detajuar, duke përfshirë edhe kërkesa të pazakonta si shpërndarës ushqimi me rrota për kryetaren dhe kasaforta të koduara për ruajtjen e dokumenteve sekrete.

Img

Në kushtet kur Bashkia e Tiranës përballet me 12 milionë euro borxhe të papaguara dhe kur zyrat ekzistuese janë funksionale, ky tender shihet si një shpërdorim flagrant i fondeve publike. Vetëm për tremujorin e parë të 2025-ës, bashkia ka akumuluar 1.2 milionë euro borxhe për investime të palikujduara.

Në këtë kontekst, kritikat ndaj tenderit nuk janë vetëm për përmbajtjen luksoze dhe kriteret e përjashtuese, por edhe për kohën dhe prioritetin e vendosur në një moment të vështirë ekonomik për institucionet vendore.

Vendimi i KPP e detyron Bashkinë e Tiranës të rishikojë dokumentacionin dhe të modifikojë kriteret e përzgjedhjes përpara se të rifillojë procedurat e tenderimit. Ndërkohë, Agjencia e Prokurimit Publik pritet të nisë një hetim administrativ për të verifikuar nëse kemi të bëjmë me shkelje sistematike të ligjit.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit