Bashkimi Kosovë-Shqipëri, Bërnabiç: Do shkaktonte trazira të mëdha në gjithë rajonin

Bashkimi Kosovë-Shqipëri, Bërnabiç: Do shkaktonte trazira të…

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç e ka cilësuar të rrezikshme për sigurinë e rajonit deklaratën e Albin Kurtit për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Bërnabiç duke folur për agjencinë shtetërore të lajmeve në Serbi “Tanjug”, tha kryeministri i Kosovës po punon për këtë qëllim, të cilin as nuk e fsheh.

“Ajo deklaratë është vetëm një gur tjetër në minimin e themeleve të stabilitetit rajonal dhe sigurisë rajonale. Ajo deklaratë mund të shkaktojë trazira të mëdha në të gjithë rajonin. Politika e Albin Kurtit është e qartë, të cilën ai duket se nuk e fsheh. Ajo që e shqetëson më shumë është mungesa e reagimeve të komunitetit ndërkombëtar”, tha ajo.

E pyetur se sa e realizueshme është bashkimi i Shqipërisë me Kosovën në të ardhmen, Bërnabiç theksoi se kjo mbetet në dorë të bashkësisë ndërkombëtare.

“Varet se si do të reagojë bashkësia ndërkombëtare ndaj kësaj, por kjo do të nënkuptonte pasoja shumë më të gjera për të gjithë rajonin, por edhe për rajonet e tjera në Evropë dhe në botë”, tha ajo.

Bërnabiç thotë se do të dëshironte të dëgjonte diçka nga raportuesja e Kosovës në PE, Viola von Cramon për këtë çështje.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë një interviste për radio londineze “Monocle”, është shprehur se do të votonte pro një referendumi të mundshëm për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Sipas tij nëse një referendum i tillë do të mbahej në të dy vendet, atëherë qytetarët do të votonin për bashkimin e dy shteteve shqiptare.

Kurti tha se nuk e përjashtonte që një gjë e tillë të ndodhte në ardhmen, por për sigurinë e rajonit do të ishte më mirë që të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor të hynin në BE.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit