Basir Çollaku: Call center, mashtrimi financiar, droga e re

Basir Çollaku: Call center, mashtrimi financiar, droga…

Nga Basir Çollaku

Lituani, Gjeorgji, Rumani, Ukrainë, Izrael, janë kryesisht lojtarët e mëdhenj të Call Center në Tiranë kryesisht por edhe rrethe të tjera të vendit, që kanë ngritur qendrat e mashtrimit financiar, duke përvetësuar paligjshmërisht qindra milionë euro. Biznesi i errët ka zgjatuar vetveten në kompani Offshore, duke justifikuar episode pagesash me të cilat shmangen adminsitratës tatimore apo asaj policore dhe prokurorisë.

Call center dhe hetimet nga prokuroria janë një histori jo fort e re në Tiranë. Denoncimet nga Gjermania, Anglia, Italia, Holanda, vende të BE janë të shumta në institucionet shqiptare. Një investigim kohë më herët, para një viti e gjysëm, bënte Tiranën një nga qendrat e mashtimit financiar, duke përmendur me emra kompani konkrete në kryeqytetin tonë. Sipas atij investigimi lidhjet e kompanive në këtë biznes implikonin në ortakëri edhe Olsi Ramën, vëllanë e kryeminsitrit të vendit Edi Rama. Më herët ka qarkulluar dhe video festive në Shqipëri kur është mbledhur bordi i këtyre njësive me të huaj në krye të tavolinës, por kanë spikatur dhe të pushtetshmit e Tiranës. Hetimi diku ngeci sepse janë të përfshirë në këtë skemë të madhe piramidale njerëz me pushtet, të cilët kanë vajisur sistemin e kontrollit të institucioneve. Zarfet janë gjithnjë një gojëmbyllje dhe mosveprim, që ka thelluar aktivitetin kriminal. Tirana ka së paku mbi 1000 qendra të tilla, ndonëse kallëzimet konkrete për të cilat ka nisur hetimi deri më tani janë 13. Në Instagram, në Fb, në rrjete sociale, në njoftime punësimi ka njoftime pafund nga subjekte të identifikueshme për oferta punësimi në këto njësi “marketing” në disa gjuhë të ndryshme, italisht, anglisht, gjermanisht etj..

Si funksionon skema

Së pari

Këto ofrues shërbimesh të tilla, nuk kanë llogari bankare. Lekët, klientëve jua marrin nga banka online me cryptomonedhë nëpër banka virtual, kryesisht me adresa në Lituani, Gjeorgji, Rumani, Ukrainë, Paratë këtu i marrin cash, ose i këmbejnë në cash edhe në Kosovë.

Së dyti

Nuk ka kompani telefonike këtu që përdorin këto subjekte. Ato përdorin VOIP.  Voipin kryesor në Shqipëri për këto e Ka A… kshu quhet, A…Voip.

Së treti

Në QKB dhe tatime asnjë nga këto subjekte, biznese të quajtura, nuk ka nipt për Call Center. Këto e hapin fillimisht si zyrë marketingu dhe në tatime nuk kanë të ardhura. Dalin më së shumti thuajse gjithnjë me zero të ardhura. Kohët e fundit kanë hapur compani shell, në parajsa fiskale dhe bëjnë ndonjë xhirim sa për të justifikuar rrogat e të punësuarve.

Në Durrës është një nga lojtarët kryesorë të këtij biznesi që ka bërë në një periudhë të shkurtër së paku 50 milionë euro dhe vazhdon akoma aktivitetin i patrazuar nga çdo lloj hetimi. Këto biznese e kanë shtrirë aktivitetin e tyre edhe në sipërmarrrje të tjera, duke kërkuar një mënyrë të formalizimit të parasë së fituar aq shumë, në aq pak kohë dhe në një mënyrë tërësisht të paligjshme nëpërmjet mashtrimit. Investojnë në ndërtim, resorte turitike, në treg makinash, miliona euro që rrjedhin nga këto skema të mëdha mashtrimi financiar.

Teknikisht

Klientët që gjuajnë janë kryesisht në vende të bashkimit Evropian por jo vetëm. Ata telefonohen nga gjoja ekspertë të tregut të trainuar se çfarë do të thonë e reklamojnë për gjahun matanë telefonit. Joshja për të investuar në instrumenta financiarë për një fitim të madh në një kohë të shpejtë mundëson rënien viktimë të një numri të madh njerëzish dhe në shuma të konsiderueshme. Lumturia e fitores pasi janë këshilluar se ku të investojnë paratë e tyre, është e përkohëshme dhe më pas klientët marrin vesh se janë viktima të një megamashtrimi e zbrazjes së portofolit e llogarive të tyre bankare. Platformat shpërndahen nga Bordi kësaj organizate të madhe dhe njerëzit e përfshirë së paku në Shqipëri janë të koordinuar me njerëz të pushtetshëm, duke pasur mburojë për të punuar të pashqetësuar. Në fakt në këtë treg informal punësimi dhe me përmbajtje mashtrimi masiv financiar, ka një numër shumë të madh të punësuarish, me mijëra. Është droga e re që kanë gjetur klientët e qeverisë, të cilët kanë mundësitë ta kalojnë edhe këtë dallgë hetimore pas presionit kryesisht gjerman. Ashtu si ka ndodhur me trafikun e narkotikëve, ku disa statistika sheqerosën raportet dhe biznesi vijon ende në përmasa të pandryshueshme në të gjithë vendin.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit