BE dënon dhunën e policisë bashkiake ndaj një grumbulluesi mbeturinash

BE dënon dhunën e policisë bashkiake ndaj…

Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë dënoi dhunën e Policisë Bashkiake ndaj një mbledhësi mbeturinash në Tiranë që u filmua nga një kalimtar ndërsa dy policë bashkiakë e dhunonin.

“Delegacioni i BE-së dënon të gjitha format e diskriminimit, margjinalizimit dhe dhunës, veçanërisht kundër anëtarëve të komuniteteve rome dhe egjiptiane”, deklaroi delegacioni për gazetari Gjergj Erebare të medias BIRN, më 27 maj.

“Për rastin specifik të imazheve të qarkulluara në mediet sociale, Delegacioni i BE-së bazohet në punën e autoriteteve përkatëse kombëtare dhe në këtë drejtim mirëpret hetimin e nisur nga Avokati i Popullit për këtë çështje,” vijon më tej deklarata.

Delegacioni përshëndeti edhe vendimin e Avokatit të Popullit për nisjen e hetimeve në lidhje me rastin.

Bashkia e Tiranës nuk ka bërë komente publike mbi këtë çështje ndërsa një zëdhënës i saj nuk i është përgjigjur pyetjeve të BIRN të dërguara me SMS.

Policia bashkiake e Tiranës është shfaqur shpesh në median sociale duke keqtrajtuar qytetarë të ndryshëm, disave duke i bërtitur, të tjerëve duke u konfiskuar mjete të ndryshme tregtie, në kushte të paqarta ligjore.

Për organizatat e shoqërisë civile, dhuna e Policisë Bashkiake të Tiranës është sistematike dhe e paligjshme. Një hetim i mëparshëm i Avokatit të Popullit ka konkluduar se Policia Bashkiake e Tiranës vepron të tejkalim të kompetencave të saja ligjore në lidhje me ricikluesit individualë.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit