BE-ja po shqyrton masa ndëshkuese ndaj Izraelit

BE-ja po shqyrton masa ndëshkuese ndaj Izraelit

Bashkimi Evropian po përgatit një listë me masa të ashpra ndaj Izraelit për shkak të situatës në Gaza, por vendimi pritet të pengohet nga ndarjet mes vendeve anëtare.

Bashkimi Evropian po shqyrton mundësinë e vendosjes së një sërë sanksionesh ndaj Izraelit, si reagim ndaj veprimeve të tij në Rripin e Gazës. Masat përfshijnë pezullimin e marrëveshjes së asociimit, ndalimin e bashkëpunimit shkencor dhe embargon e armëve. Por përçarjet e thella mes vendeve anëtare pritet ta bëjnë të pamundur një vendim të përbashkët.

Një raport i brendshëm i BE-së, i siguruar nga rrjeti Euractiv, zbuloi muajin e kaluar se ka “tregues të shkeljeve” të angazhimeve për të drejtat e njeriut nga ana e Izraelit. Këto janë parashikuar në marrëveshjen tregtare mes palëve, çka ka detyruar Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS) të përgatisë një dokument zyrtar me propozime konkrete.

Sipas burimeve diplomatike, dokumenti që do t’u prezantohet ambasadorëve më 10 korrik, parashikon pesë opsione ndëshkuese: nga pezullimi i pjesshëm ose i plotë i marrëveshjes, te sanksionet individuale ndaj zyrtarëve izraelitë, kolonëve dhe personelit ushtarak, deri te kufizimet tregtare dhe ndalimi i eksportit të armëve.

Këto masa janë diskutuar më parë në mënyrë joformale, por kjo është hera e parë që formalizohen me shkrim. Ato pritet të debatohen në takimin e ministrave të jashtëm të BE-së më 15 korrik në Bruksel – i fundit përpara pushimeve verore. Kjo datë shënon gjithashtu një afat të heshtur për të vlerësuar nëse Izraeli ka përmirësuar gjendjen humanitare në Gaza.

Kryediplomatja e BE-së, Kaja Kallas, deklaroi më herët se synimi është të ndryshohet sjellja në terren. Ajo paralajmëroi se nëse nuk ka përmirësime, BE-ja do të shqyrtojë hapa të tjerë ndëshkues. Ndërkohë, një delegacion teknik i udhëhequr nga Christophe Bigot zhvilloi bisedime në Izrael, por Brukseli është skeptik për rezultatet.

Izraeli i ka cilësuar akuzat e BE-së si të padrejta dhe metodologjikisht të gabuara. Sipas qeverisë izraelite, këto nisma nuk ndihmojnë aspak civilët palestinezë, ndërkohë që thellojnë ndasitë mes shteteve evropiane.

Miratimi i ndonjë mase të gjerë, si pezullimi i marrëveshjes ose embargoja e armëve, kërkon konsensusin e të 27 vendeve anëtare, por Gjermania, Hungaria dhe Çekia janë kundër. Edhe Komisioni Evropian shfaqet skeptik ndaj sanksioneve të gjera ekonomike.

Opsioni më i mundshëm mbeten sanksionet e synuara ndaj individëve specifikë, një qasje që është ndjekur edhe nga vende si Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Australia dhe Norvegjia. Kjo mund të jetë rruga më e pranueshme për të mbajtur një qëndrim të unifikuar brenda BE-së.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit