BE kërkon të frenojë emigracionin e paligjshëm, ja mënyra që ka “zgjidhur” problemin

BE kërkon të frenojë emigracionin e paligjshëm,…

Gjermania organizoi të enjten një takim me përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe të disa vendeve evropiane – përfshi përfaqësues nga Ballkani Perëndimor – në një përpjekje për të frenuar emigrimin përmes të ashtuquajturës rrugë ballkanike. Gjatë muajve të fundit, një numër në rritje i emigrantëve janë përpjekur të arrijnë në vendet më të pasura të Evropës Perëndimore nëpërmjet Ballkanit, shpesh duke u paguar kontrabandistëve mijëra euro për të kaluar përtej kufijve pa dokumente të vlefshme udhëtimi.

Paketa e masave që zyrtarët e Evropës Perëndimore dhe BE-së kërkuan në takimin e Berlinit përfshin përafrimin e politikave të vizave të shteteve të Ballkanit Perëndimor, Serbisë, Shqipërisë, Bosnje Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut me standardet e BE-së, luftën ndaj trafikimit të emigrantëve, sigurimin e mbrojtjes efektive të kufijve dhe përshpejtimin e dëbimeve.

Kryeministri i Holandës Mark Rutte ka thënë para gazetarëve në Bruksel para nisjes së takimit se rritja e numrit të emigrantëve që vinë përmes Ballkanit Perëndimor është shqetësuese dhe “duhet të shikojmë se si të punojmë së bashku në mënyrë që të vendosim nën kontroll këtë rrjedhë”.

Johansson edhe në atë takim ka thënë se “është trefishuar numri i emigrantëve ilegalë që vinë përmes rrugës së Ballkanit Perëndimorë” duke nënvizuar se një gjë e tillë paraqet barrë të madhe për kapacitetet e vendosjes në vendet e Bashkimit Evropian.

Johanson ka përmendur në veçanti rritjen e numrit të azilkërkuesve nga India, Burundi, Tunisia dhe Kuba, vendet të cilave Serbia ua ka hequr vizat. Disa zyrtarë të BE-ë kanë thënë se Serbia ka përdorur heqjen e vizave për disa vende si vegël për të siguruar mbështetjen e tyre për qëndrimin e Serbisë kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës. Johanson edhe të enjten ka përsëritur se përshtatja e vendeve të rajonit të Ballkanit me regjimin e vizave të BE-së është e vemja mënyrë për të mbajtur liberalizimin e vizave për vetë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të Kosovës, gëzojnë liberalizimin e vizave me BE-në. Prandaj BE-ja pret nga ato që të mos mundësojnë udhëtimin pa viza në territorin e tyre nga vendet të cilat mund të paraqesin rrezik për emigrim ilegal drejt BE-së.

Diplomatët e BE-së kanë përsëritur se shqetësimi më i madh është për rritjen dramatike të numrit të refugjatëve që në BE vinë përmes Serbisë nga vendet të cilave Serbia ua ka hequr vizat. Serbia është kërcënuar se BE mund ti vendosë vizat për qytetarët e saj nëse urgjentisht nuk ndërmerren masa për të ndalur këtë valë të refugjatëve. Ndërkohë komisioneri i BE-së për zgjerim Oliver Várhelyi, në një postim në rrjetet sociale, ka përshëndetur atë që ai e ka quajtur “hap i rëndësishëm i Serbisë në përshtatje me politikën e vizave të BE-së”. Për këtë problem është folur edhe në takimin e ministrave të brendshëm dhe të drejtësisë në kuadër të procesit të Berlinit që është zhvilluar sot në kryeqytetin e Gjermanisë, ku mori pjesë edhe komisionerja e BE-së për punë të brendshme Ylva Johanson. /Rel/

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit