BE propozon kufizime për rrjetet sociale për fëmijët nën 15 vjeç

BE propozon kufizime për rrjetet sociale për…

Bashkimi Evropian po përgatit rregulla të reja për të kufizuar përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët dhe adoleshentët, me synim rritjen e sigurisë dhe mirëqenies së tyre online.

Sipas propozimit të ri, fëmijët nën 13 vjeç nuk do të lejohen të përdorin rrjetet sociale, ndërsa 13–15-vjeçarët do të kenë akses të kufizuar në rreth një orë në ditë dhe vetëm me miratimin e prindërve ose kujdestarëve.

Rregullat nuk do të vlejnë vetëm për platforma si TikTok, Instagram dhe Snapchat, por edhe për YouTube, shërbime të tjera video, lojëra online dhe chatbotë me inteligjencë artificiale. Vetëm personat 15 vjeç e lart do të mund të krijojnë llogari të pavarura.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se kompanitë teknologjike duhet të garantojnë sigurinë e përdoruesve të mitur që në fazën e projektimit të platformave. Në rast shkeljesh, ato mund të përballen me gjoba deri në 6% të të ardhurave globale.

Komisioni Evropian parashikon gjithashtu një sistem verifikimi të moshës përmes aplikacionit të BE-së, duke deklaruar se të dhënat personale nuk do të ruhen apo shpërndahen.

Propozimi vjen pasi disa vende, përfshirë Francën dhe Spanjën, kanë ndërmarrë nisma të ngjashme. Megjithatë, zbatimi në të gjithë BE-në mund të përballet me debate, veçanërisht për çështjet e privatësisë dhe mënyrën e verifikimit të moshës.

Rregullat e reja, të njohura si “EU Kids Act”, duhet fillimisht të miratohen nga shtetet anëtare dhe Parlamenti Evropian përpara se të hyjnë në fuqi.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit