BE u bën thirrje qytetarëve: Mbani gati një çantë me ushqime dhe ilaçe për 3 ditë!

BE u bën thirrje qytetarëve: Mbani gati…

Komisioni Europian ka prezantuar udhëzime të reja për përgatitjen e qytetarëve në rast emergjencash dhe krizash, duke rekomanduar që familjet të jenë në gjendje të përballojnë vetë nevojat bazë për të paktën 72 orët e para.

Nisma u prezantua këtë të martë, më 3 nëntor, nga komisionerja europiane për Barazinë, Gatishmërinë dhe Menaxhimin e Krizave, Hadja Lahbib, gjatë Forumit Europian të Mbrojtjes Civile.

Një nga pikat kryesore të udhëzimeve është përgatitja e një çante emergjence me furnizimet e nevojshme për tre ditë, në mënyrë që qytetarët të mund të përballojnë situata kur shërbimet jetike ndërpriten ose ndihma publike nuk mund të mbërrijë menjëherë.

Përveç furnizimeve bazë, Komisioni Europian ka përcaktuar edhe tre fusha të tjera ku duhet të përqendrohen masat e përgatitjes:

E para lidhet me edukimin e fëmijëve dhe përfshirjen e përgatitjes për emergjenca në programet e arsimit parashkollor dhe fillor, duke trajnuar edhe mësuesit për mënyrën se si duhet të reagojnë në situata të rrezikshme.

E dyta synon të garantojë që personat me aftësi të kufizuara të mos lihen pas dore gjatë emergjencave, duke marrë parasysh nevojat e tyre në planet e mbrojtjes civile.

E treta lidhet me informimin e qytetarëve për rreziqet dhe kërcënimet, përmes komunikimit të qartë dhe të besueshëm para, gjatë dhe pas një krize.

Komisionerja Lahbib njoftoi gjithashtu se Komisioni synon të propozojë krijimin e një Dite Europiane të Gatishmërisë, e cila do të organizohet çdo vit më 23 tetor, duke nisur nga viti 2027.

Komisioni Europian thekson se këto udhëzime nuk janë detyruese, por synojnë të krijojnë një kulturë më të fortë përgatitjeje në të gjithë Europën, në mënyrë që qytetarët të dinë si të mbrojnë veten dhe familjet e tyre kur ndodh një emergjencë.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit