Beb Joni e shkatërron skemën e Lindës: Ja si u zhbënë kriteret dhe u favorizua "Dion-Al" e familjes Joanidhi

Beb Joni e shkatërron skemën e Lindës:…

Tenderi multimilionor i spitalit të Korçës ka sjellë një përplasje të hapur dhe ndryshime drastike brenda institucioneve, ku drejtorët e radhës po përmbysin vendimet e njëri-tjetrit në kurriz të parave publike. Në qendër të kësaj afere është Operatori i Blerjeve të Përqendruara (OBP), i cili fillimisht u drejtua nga Arlinda Pogaj dhe më pas nga pasardhësi i saj, Jonaid Myzyri.

Historia nisi më 12 qershor, kur u shpall tenderi për ndërtimin e godinës së re multifunksionale të Spitalit të Korçës, me një fond limit prej 1 miliardë e 164 milionë lekësh ose rreth 12.4 milionë euro. Sipas dokumenteve të publikuara në KPP, ish-drejtoresha Arlinda Pogaj kishte vendosur kritere që funksiononin si një kostum i qepur me porosi për të përcaktuar fituesin paraprakisht. Në formulën e saj, çmimi kishte vetëm 55 për qind të pikëve, ndërsa 25 pikë jepeshin për eksperiencën në punë të ngjashme, dhe pjesa tjetër për punësimin dhe garancinë. Marifeti teknik që ngushtonte rrethin e garuesve konsistonte në kërkesën absurde që kompania fituese të kishte ndërtuar ose rikonstruktuar të paktën 14,500 metra katrorë objekte spitalore në 5 vitet e fundit.

Por kjo skemë ndryshoi menjëherë kur qeveria vendosi të shkarkojë Arlinda Pogajn dhe të emërojë në krye të OBP-së Jonaid Myzyrin. Vetëm një javë pas shpalljes së procedurës, Myzyri ndërhyri fuqishëm duke përmbysur rregullat e lojës. Formula e re e pikëzimit e rriti peshën e çmimit nga 55% në 70%, ndërsa hoqi totalisht nga sistemi i pikëzimit eksperiencën e punëve të ngjashme dhe kriterin e detyrueshëm prej 14,500 metrash katrorë për objektet spitalore.

Sipas burimeve, ky tender ishte paracaktuar fillimisht për një kompani tjetër që kishte ndërtuar Pediatrinë dhe Spitalin Infektiv në Tiranë. Megjithatë, pas ndërhyrjes së Myzyrit dhe ndryshimit të kritereve në garën e zhvilluar më 13 korrik, kompania që rezulton favorite është “Dion-Al”, e cila ka ofruar një çmim 35 për qind më të ulët se fondi limit.

Prapa kësaj kompanie fituese fshihet një histori e errët kriminale dhe financiare. Kompania e ndërtimit “Dion-Al” shpk (ish-“Shpresa” shpk) zotërohet nga Shpresa Joanidhi, bashkëshorti i saj Alfred Joanidhi dhe djali i tyre Renaldo Joanidhi. Kjo familje dhe kompania e tyre rezultojnë të kenë përfituar rreth 60 milionë euro tendera publikë ndër vite përmes skemave korruptive dhe letrave false, duke ndarë shuma të mëdha me drejtorë e kryebashkiakë.

Pika më e errët e kësaj historie daton në shtator të vitit 2019, kur vetë Shpresa Joanidhi u arrestua së bashku me disa biznesmenë të tjerë për krijimin e një skeme mashtruese me TVSH-në. Prokuroria e kishte identifikuar atë si dorën kryesore të kësaj skeme, duke përgatitur fatura fiktive që i shkaktuan dëme miliona euro buxhetit të shtetit. Sot, e njëjta kompani e drejtuar nga persona me precedentë penalë për vjedhjen e taksave të qytetarëve shqiptarë, shpallet favorite për të kapur tenderin e radhës prej miliona eurosh në spitalin e Korçës, pas ndërrimeve të karrigeve dhe kritereve mes drejtorëve të radhës.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit