Sipas hartës së re, 15 bashki humbasin statusin si njësi të pavarura vendore dhe bashkohen me bashki të tjera. Konkretisht, Fushë-Arrëzi i bashkohet Pukës, Klosi Matit, Rrogozhina Kavajës, Dimali dhe Poliçani Beratit, Patosi Fierit, Divjaka Lushnjës, Selenica Vlorës, Maliqi Korçës, Këlcyra Përmetit, Memaliaj Tepelenës, Libohova Gjirokastrës, Cërriku dhe Belshi Elbasanit, ndërsa Përrenjasi i bashkohet Librazhdit. Harta e re parashikon gjithashtu organizimin e territorit në 77 qytete dhe 387 njësi administrative, me përfaqësim të qyteteve në këshillat bashkiakë.
Ndarja e re administrativo-territoriale pritet të nisë zbatimin në zgjedhjet vendore të vitit 2027. Me këtë reformë, bashkitë do të mbeten njësitë kryesore të vetëqeverisjes vendore, por me një organizim të ndryshuar të territorit dhe të administrimit lokal. Ndryshimi i hartës pritet të sjellë një riorganizim të strukturave të pushtetit vendor në të gjithë vendin.