
Presidenti Begaj vlerëson kontributin e Universitetit të Kalabrisë në ruajtjen e trashëgimisë gjuhësore dhe kulturore arbëreshe përmes Katedrës së Albanologjisë
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zhvilloi një vizitë zyrtare në Universitetin e Kalabrisë, ku mori pjesë në aktivitetin përkujtimor të 50-vjetorit të themelimit të Katedrës dhe Laboratorit të Albanologjisë. Ai theksoi rëndësinë që ka kjo qendër akademike për ruajtjen dhe promovimin e gjuhës dhe kulturës arbëreshe.
Në fjalën e tij para profesorëve, studiuesve dhe studentëve, Presidenti Begaj deklaroi: “Ky universitet ka një mision të rëndësishëm që shkon përtej edukimit: të mbrojë dhe të trashëgojë gjuhën arbëreshe. E falënderoj me gjithë zemër çdo profesor që ka kontribuar në këtë mision”.
Kreu i shtetit përmendi me mirënjohje themeluesin e katedrës, Françesko Solano, dhe veçoi punën e profesorit Altimari, të cilin e cilësoi si një figurë kyçe në zhvillimin e albanologjisë. “Kjo katedër është bërë qendër botimesh, kërkimesh dhe veprash që do t’i shërbejnë brezave të rinj për të ruajtur identitetin”, theksoi ai.
Presidenti shtoi se “komuniteti arbëresh na ka dëshmuar për më shumë se pesë shekuj se sa jetike është ruajtja e gjuhës dhe e identitetit kulturor shqiptar”. Ai vlerësoi gjithashtu publikimin e tekstit të ri shkollor për mësimin e gjuhës arbëreshe, i cili u prodhua nga profesorët me përkushtim dhe pa përfitime financiare.
Duke u ndalur tek mesazhet frymëzuese, Presidenti përmendi edhe fjalët e Nënë Terezës: “Kur bën gjëra të vogla me dashuri të madhe, patjetër që do të arrish suksese”. Ai nënvizoi se ky tekst i ri do të mbetet një pasuri për brezat dhe do të forcojë më tej trashëgiminë gjuhësore.
Në përfundim, Begaj iu bashkua thirrjes së profesorit Altimari për të forcuar bashkëpunimin me tri qendrat kryesore akademike të albanologjisë në Itali – në Kalabri, Palermo dhe Romë – si një mënyrë për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme për gjuhën shqipe dhe kulturën arbëreshe.
Gjatë kësaj vizite, Presidenti Begaj u prit në një takim të veçantë edhe nga Rektori i Universitetit të Kalabrisë, profesor Nicola Leone, duke thelluar më tej lidhjet akademike mes Shqipërisë dhe Italisë.