Belgjika nuk la vend për surpriza dhe siguroi një vend në çerekfinalet e Kupës së Botës, pasi mposhti me rezultatin e thellë 4-1 Shtetet e Bashkuara. Fitorja erdhi pas një ndeshjeje të mbushur me polemika, të shkaktuara nga vendimi i FIFA-s për rastin e sulmuesit amerikan Folarin Balogun.
Balogun ishte ndëshkuar me karton të kuq në fazën e kaluar dhe pritej të mungonte për shkak të pezullimit, por FIFA vendosi të shtyjë zbatimin e dënimit, duke i dhënë mundësinë të luante ndaj Belgjikës. Ky vendim shkaktoi reagime të forta nga Federata Belge e Futbollit dhe UEFA, të cilat e konsideruan të padrejtë.
Në debat u përfshi edhe presidenti amerikan Donald Trump, i cili deklaroi se kishte kërkuar nga FIFA rishikimin e pezullimit, duke e cilësuar ndëshkimin fillestar si një “njollë të madhe” për turneun.
Pas ndeshjes, mesfushori Nicolas Raskin tha se skuadra belge ishte ndier e padrejtësuar nga zhvillimet e fundit, por se përgjigjen më të mirë e dha në fushë me një fitore bindëse. Të njëjtin mendim ndau edhe kapiteni Youri Tielemans, i cili pranoi se polemikat i kishin motivuar lojtarët për të dhënë maksimumin.
Festimet pas golit të katërt tërhoqën gjithashtu vëmendje, pasi disa futbollistë belgë imituan të ashtuquajturin “kërcimi i Trump”. Ndërkohë, llogaria zyrtare e kombëtares belge në Instagram publikoi një foto të Romelu Lukakut me mbishkrimin “Përmbyseni edhe këtë”, në një referencë të qartë ndaj vendimit të FIFA-s.
Trajneri i Belgjikës, Rudi Garcia, u përpoq të ulte tensionet pas sfidës, duke zbuluar se kishte biseduar me Balogun dhe duke theksuar se sulmuesi amerikan nuk mbante asnjë përgjegjësi për polemikat që paraprinë këtë përballje.