“Benz-i” s’pyet për të sëmurët, refuzon t’i hapi rrugën ambulancës

“Benz-i” s’pyet për të sëmurët, refuzon t’i…

Një episod shqetësues është denoncuar në redaksinë e JOQ Albania, ku një automjet tip “Benz”, në autostradën e Tiranës, shihet duke mos i hapur rrugën një ambulance që po lëvizte me sinjalet e emergjencës.

Sipas denoncimit, drejtuesi i automjetit dhe pasagjeri, të cilët dukeshin si shtetas të huaj, nuk i hapën rrugë ambulancës, duke vijuar lëvizjen përpara saj. Një sjellje e tillë ngre pikëpyetje për respektimin e rregullave të qarkullimit dhe, mbi të gjitha, për përgjegjësinë që duhet të tregojë çdo drejtues mjeti përballë një situate emergjente.

Ajo që bie në sy është se, në momentin kur drejtuesit kuptuan se po filmoheshin, automjeti u spostua dhe i hapi rrugën ambulancës.

Duhej kamera që të hapnin rrugën? Një ambulancë nuk është një automjet i zakonshëm në trafik. Brenda saj mund të jetë një pacient që lufton me sekondat, ndërsa çdo vonesë mund të ketë pasoja të rënda.

Në rrugë, pakujdesia dhe mungesa e përgjegjësisë nuk janë thjesht çështje nervash apo trafiku. Kur bëhet fjalë për një ambulancë në emergjencë, rruga duhet të hapet pa hezitim, jo vetëm kur dikush të filmon.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit