Berat: Makina përplas këmbësorin, 40-vjeçari niset me urgjencë drejt Traumës

Berat: Makina përplas këmbësorin, 40-vjeçari niset me…

Një 40-vjeçar ka mbetur i plagosur mbrëmjen e sotme në fshatin Poshnje, në aksin rrugor Berat–Ura e Kuçit, pasi është përplasur nga një automjet, drejtuesi i të cilit është larguar nga vendngjarja.

I plagosuri, i identifikuar si shtetasi Endri Selfaj, po lëvizte me biçikletë kur është goditur nga makina. Kanë qenë kalimtarë të rastit ata që e kanë gjetur të shtrirë në rrugë dhe kanë njoftuar policinë.

Pas mbërritjes së ambulancës, 40-vjeçari është transportuar në Spitalin Rajonal të Beratit, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore. Për shkak të dëmtimeve, mjekët kanë vendosur ta dërgojnë më pas në Spitalin e Traumës në Tiranë për trajtim të specializuar.

Ndërkohë, policia ka nisur hetimet për identifikimin e automjetit dhe drejtuesit që u largua pas përplasjes. Në kuadër të veprimeve hetimore, janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë në bizneset dhe banesat përgjatë rrugës, të cilat mund të ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes.

Autoritetet po punojnë për të përcaktuar rrethanat e aksidentit dhe për të identifikuar drejtuesin e mjetit, i cili, sipas raportimit, u largua pa i dhënë ndihmë të plagosurit.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit