Berati në errësirë, qeveria hesht nën vapën përvëluese të korrikut

Berati në errësirë, qeveria hesht nën vapën…

Beratasit lihen pa energji elektrike në një prej ditëve më të nxehta të verës, ndërsa institucionet qeveritare shmangin çdo përgjegjësi dhe sqarim publik

Në një nga ditët më përvëluese të këtij korriku, qyteti i Beratit është zhytur në errësirë, ndërkohë që temperaturat kapin shifrën alarmante prej 40 gradësh. Në vend që të gëzonin freskinë e kondicionerëve apo frigoriferëve funksionalë, banorët janë përballur me ndërprerje të vazhdueshme të energjisë elektrike.

Që nga mëngjesi, lagjet e qytetit furnizohen vetëm për 30 minuta me energji, përpara se të rikthehet sërish ndërprerja e gjatë. Ky cikël i përsëritur ka vështirësuar jetesën, veçanërisht për të moshuarit, fëmijët dhe bizneset që varen nga energjia për funksionimin e përditshëm.

Burime të shumta nga qyteti konfirmojnë se askush nga autoritetet nuk ka dhënë një njoftim apo sqarim për situatën. As Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, nën drejtimin e Enea Karaçit, dhe as Operatori i Sistemit të Shpërndarjes i drejtuar nga Bledian Dalipi, nuk kanë dalë me një deklaratë zyrtare. E njëjta qasje është ndjekur edhe nga qeveria e Edi Ramës.

Berati, i njohur si bastion i Partisë Socialiste, me mbi 75% mbështetje në zgjedhje, duket se trajtohet me përçmim. Ironikisht, qyteti që dikur përflitej se nuk donte as ujë, as drita, por vetëm “Partinë Socialiste”, sot nuk ka as një fije dritë dhe as një përgjigje institucionale.

Në media janë drejtuar me dhjetëra ankesa nga qytetarët, të cilët shprehin indinjatën për neglizhencën totale nga shteti. Por, pavarësisht pakënaqësisë në rritje, deri tani nuk është shënuar asnjë protestë apo mobilizim publik.

Përballë kësaj situate, shumë qytetarë të Beratit ndihen të braktisur dhe të zhgënjyer, por heshtin për të ruajtur “imazhin” e një qeverie që duket se i ka harruar. Ndërsa termometri vazhdon të ngjitet, beratasit shpresojnë që treshja Rama-Karakaçi-Dalipi të kthejë të paktën dritat, edhe pse zëri i tyre ende nuk dëgjohet.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit