“Shqipëria është vendi me qeverisjen më të keqe në Europë, pas Bosnjes”. Kështu thuhet në raportin e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Në raportin e Tranzicionit për vitin 2023, për treguesin e mirëqeverisjes, BERZH e klasifikon Shqipërinë në vendin e dytë për qeverisjen më të keqe, duke e vlerësuar me 4.71 pikë nga 10 të mundshmet.
Në krye të kësaj liste për keqqeverisje nga të gjitha vendet e Europës qëndron Bosnja me 4.09 pikë.
Indikatori i mirëqeverisjes është një nga treguesit më të rëndësishëm në Raportin e Tranzicionit. Ai mat cilësinë e institucioneve politike dhe ekonomike të një vendi, standardet e integritetit, kontrollin e korrupsionit si dhe sundimin e ligjit. Vec kësaj treguesi mat edhe cilësinë e qeverisjes së korporatave private.
Të dhënat historike tregojnë se ky tregues është përkeqësuar nga viti në viti.
Në vitin 2016, Shqipëria vlerësohej me 5.28 pikë në treguesin e mirëqeverisjes. Vitin e kaluar treguesi zbriti në 4.74 pikë, ndërsa për këtë vit ai ka zbritur më tej në 4.71 pikë.
Në raport BERZH vëren se treguesi i mirëqeverisjes është përmirësuar në pjesën më të madhe të vendeve të Europës, ndërkohë që vendet e vetme ku qeverisja ka shënuar përkeqësim të ndjeshëm janë Shqipëria, Bosnja, Libani dhe Polonia.
Po ashtu, në raport thuhet se ndryshe nga vendet e Europsë Lindore, në Shqipëri nuk është rritur kënaqësia për të jetuar.