Nga Ministria e së Vërtetës.
Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka dalë sot në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp për të sqaruar “keqkuptimin mediatik” lidhur me arratisjen e Hasan Ferracakut nga arresti i shtëpisë, duke e cilësuar ngjarjen si një “sukses madhor të digjitalizimit të policisë”.
Sipas Lamallarit, i cili njihet për qetësinë e tij olimpike dhe pasionin për statistikat e reformave, policët po testonin aplikacionin e ri shtetëror “E-Arresti”.
“Ne nuk mund të operojmë më me metoda të shekullit të kaluar si drynat, bravat apo rojet te dera,” deklaroi Lamallari me tone akademike. “Ferracaku nuk ka ikur. Ai thjesht ka kaluar në modalitetin Incognito. Inteligjenca jonë artificiale e ndjek atë në çdo hap në sferën digjitale. Fakti që nuk është fizikisht në banesë është thjesht një detaj dytësor që po përdoret për politikë.”
I pyetur nga gazetarët se si ka mundësi që një person i përfshirë në një masakër me katër të vrarë lihet në dorë të katër policëve që as nuk e dinë ku e ka derën shtëpia, Lamallari shpjegoi strategjinë e re të Ministrisë:
Paketa e Re e Masave “Lamallari 2026”:
-
Sanksione në Instagram: Nëse një i burgosur thyen arrestin e shtëpisë, Ministria do t’i bëjë “Report” llogarisë së tij personale dhe do t’i bllokojë mesazhet direkte.
-
Sistemi i Besimit: Policët nuk do të qëndrojnë më te dera, por do t’i dërgojnë të arrestuarit një SMS çdo mëngjes: “A je mrena vlla?”. Nëse përgjigjja vonon më shumë se 24 orë, atëherë njoftohet AMP-ja.
-
Reforma Strukturore: Policëve do t’u jepet trajnim i posaçëm se si të mos habiten kur të shohin një shtëpi bosh.
Ndërkohë, burime nga Ministria bëjnë me dije se Lamallari po përgatit një draft-ligj të ri ku “shtëpia” do të ndryshojë përkufizim juridik. Nëse Ferracaku kapet në një plazh në mbarë botën, Ministria do të argumentojë se “ai plazh në atë moment ishte shtëpia e tij shpirtërore”, duke e mbyllur çështjen pa asnjë shkelje ligjore.