Besnik Mustafaj: Vetëm protestat kanë fuqi ta mbajnë elitën politike në shina

Besnik Mustafaj: Vetëm protestat kanë fuqi ta…

Ish ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, duke komentuar çështjen e shembjes së Teatrit Kombëtar, shprehet besimplotë se Teatri mund të ringrihet siç ka qenë dhe aty ku ka qenë, por nuk duhet të vazhdojmë të vajtojmë pafund.

Duke e vënë theksin tek protestat e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, Mustafaj thotë se ka një rrugë, që ne ta mbajmë lart e ta çojmë përpara frymën e krijuar nga kauza e Teatrit.

“Fjala është për atë pjesë të kësaj fryme, e cila shkon përtej mbrojtjes së një objekti, qoftë ky edhe me rëndësi kulturore dhe simbolikë historike të veçantë, siç ishte Teatri Kombëtar. Nisur sidomos nga fakti që qëndresa zgjati më shumë se dy vjet e gjysmë, duke dalë jashtë çdo parashikimi të Kryeministrit Rama, do të kisha thënë se “Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit”, si strumbullar i kësaj qëndrese, ka arritur të mbjellë në shoqërinë tonë, sidomos në Tiranë, frymën e vazhdimësisë në mospajtimin me politikën e keqe qeverisëse”, shprehet ai.

Lidhur me aludimet se Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit” do të shndërrohet në lëvizje të re politike, Mustafaj shprehet se nuk është çudi dhe se as nuk sheh ndonjë gjë të keqe.

“Robert Budina, në një dalje të fundit publike, duke bërë një sintezë të dy protestave të organizuara në Shkodër dhe Kukës, tha se “do të kthehemi në Tiranë me një protestë politike, por jo partiake”. Kur flas për provat e reja, që duhet të kalojë fryma e re e mospajtimit me politikën e keqe të qeverisë, krijuar gjatë periudhës në mbrojtje të Teatrit, nuk e kam aspak fjalën për themelimin e një lëvizjeje të re politike. E kam vetëm për vazhdimin e protestave, të cilat, ashtu siç u shpreh Robert Budina, duhet të jenë doemos politike, por jo partiake.”

Sipas tij, vetëm protesta në rrugë e në sheshe ka fuqi për ta mbajtur elitën politike në shina, duke u bërë kështu vërtet faktor vendimtar për progresin e vendit.

“Shkolla e protestës, si kjo që propozon “Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit” apo edhe cilado strukturë tjetër e shoqërisë civile, e mëson individin jo vetëm të mos pajtohet me të keqen publike, por edhe ta gjejë veten pa u gabuar si mbështetës apo qoftë edhe si votues në peizazhin e propozimeve nga partitë. Përfitimi më i thjeshtë që ka demokracia në këtë rast është se një votues i regjur nëpër protesta, të paktën votën nuk e shet dhe as nuk lejon t’ia vjedhin.”

Por për Musafaj, ajo që ka rëndësi është fakti nëse do të mundet “Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit” të organizojë protesta të tilla të mëdha e në vazhdimësi, gjithnjë politike, por jo partiake?

“Unë them se po. Madje, edhe struktura të tjera të shoqërisë civile, me shumë më pak përvojë se kjo Aleancë, mund të organizojnë protesta të tilla. Nuk është fjala për revolucione. Protestat, ashtu siç i kemi parë madje edhe në këtë kohë karantine në vendet perëndimore e siç i përfytyroj të zhvillohen edhe në Tiranë e në qytetet e tjera të vendit, kërkojnë fare pak organizim. Sepse ato nuk kanë hierarki oratorësh për të respektuar e as program politik për të shpjeguar. Ditën e shembjes dramatike të Teatrit, Edmond Budina e përmendi një nga format e shumta të këtyre protestave e që është mosbindja civile. Mos harroni, përmes mosbindjes civile, indianët ulën në gjunjë perandorinë më të madhe të kohës e që ishte ajo britanike. Çfarë është Edi Rama krahasuar me mbretin e Anglisë?”, përfundon Mustafaj.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit