Besonte se ishte "mbret", dënohet me burgim të përjetshëm shqiptari që vrau dy persona në Britani

Besonte se ishte “mbret”, dënohet me burgim…

Një ngjarje tragjike ka tronditur qytetin britanik të Coventry, ku dy burra u vranë nga një shtetas shqiptar që ndodhej ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar.

Emiljano Kasaj, 34 vjeç, u dënua me burgim të përjetshëm pasi goditi për vdekje me makinën e tij Mercedes dy persona të pafajshëm: Leo Moran dhe Joel Carriedo, ky i fundit baba i dy fëmijëve. Një person i tretë mbeti i plagosur rëndë në kokë.

Ngjarja ndodhi në shtator 2023 dhe u cilësua si një “shfrenim i tmerrshëm” nga gjykatësi i Lartë, z. Choudhury, gjatë seancës së dënimit më 16 qershor në Warwick. Kasaj pranoi fajësinë për një tentativë vrasjeje dhe dy vrasje nga pakujdesia për shkak të gjendjes së tij mendore.

Sipas prokurorit, Kasaj ishte arrestuar për shkelje të rregullave të imigracionit që në gusht 2022, pasi nuk kishte bërë asnjë përpjekje për t’u regjistruar pranë autoriteteve. Fillimisht u mbajt në një qendër deportimi në Londër, por më pas u lirua me kusht që të paraqitej në një qendër imigracioni në Solihull. Ai nuk u paraqit kurrë.

Kasaj vuante nga çrregullime të rënda paranojake dhe besonte se ishte një “mbret” që po shantazhohej nga liderë politikë në Shqipëri. Përveç dënimit me burgim të përjetshëm, ai do të mbahet në një institucion psikiatrik për aq kohë sa është e nevojshme, sipas Aktit për Shëndetin Mendor në Britani.

Nëna e viktimës Leo Moran, znj. Teresa, akuzoi ashpër autoritetet britanike:

“Leo ishte djali im më i vogël dhe lidhja jonë ishte e veçantë. Që në fillim e dinim se vrasësi ishte i njohur për Home Office. Ai ishte një emigrant ilegal. Nëse autoritetet do të kishin bërë punën e tyre, Leo do të ishte ende gjallë. Na kanë zhgënjyer të gjithëve.”

Home Office refuzoi të komentojë rastin, duke thënë se nuk japin deklarata për çështje individuale.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit