Konsumi në bare dhe restorante në Shqipëri ka pësuar një rënie të ndjeshme gjatë sezonit turistik, me ulje deri në 35% në muajin qershor krahasuar me një vit më parë. Sipas Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve, tkurrja është ndier veçanërisht në zonat bregdetare, ndërsa një nga faktorët që ka ndikuar është edhe frenimi i konsumit nga individë të ekspozuar ndaj hetimeve të SPAK për pastrim parash.
Kryetari i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve, Enri Jahja, deklaron se përveç aksioneve të SPAK, në rënien e konsumit kanë ndikuar edhe shtimi i hoteleve me shërbim “all inclusive” dhe dominimi i turistëve me buxhet të ulët. Veçanërisht në zona si Ksamili, turistët që qëndrojnë në struktura me vakte të përfshira kanë ulur frekuentimin e restoranteve për drekë dhe darkë. Sipas tij, këtë sezon nuk ka pasur rritje të çmimeve, ndërsa shpenzimi mesatar për person në restorante varion nga 20 deri në 40 euro.
Rënia e konsumit është evidentuar edhe në periudhën janar–shtator 2025, me një ulje prej 10–15% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në Shqipëri operojnë rreth 15.5 mijë bare, nga 22 mijë që ishin në vitin 2015, ndërsa sektori vijon të përballet edhe me mungesë të fuqisë punëtore, me një boshllëk të vlerësuar nga 10 mijë deri në 20 mijë vende pune të paplotësuara.