Mungesa e reshjeve dhe prurjet e pakta të lumit Drin kanë sjellë një tjetër tërheqje të ndjeshme të ujërave të liqenit të Fierzës. Rënia e nivelit të rezervuarit ka zbuluar sërish gjurmë të qytetit të vjetër të Kukësit, të përmbytura prej dekadash nga krijimi i liqenit artificial.
Mes hapësirave të lëna zbuluar nga uji dallohen pjesë të ish-qendrës së qytetit, monumenti i Zogut të Parë, bunari, si dhe strukturat e mbetura të urës së vjetër të Kukësit. Pamja e tyre rikthen në sipërfaqe një pjesë të historisë së qytetit, që shfaqet sa herë niveli i liqenit pëson rënie të konsiderueshme.
Pas kësaj situate qëndrojnë prurjet e ulëta të Drinit, të cilat kanë zbritur nën 80 metra kub në sekondë. Paralelisht, vijon shfrytëzimi i ujit për prodhimin e energjisë elektrike në hidrocentralin e Fierzës, duke shtuar presionin mbi rezervuarin.
Tërheqja e ujit nuk ka sjellë në dritë vetëm rrënojat e qytetit të dikurshëm. Në brigjet e liqenit janë vërejtur edhe qindra molusqe të ngordhura, të mbetura në sipërfaqe pas uljes së nivelit të ujit, një tjetër tregues i ndikimit që ndryshimet e nivelit po shkaktojnë në ekosistemin e liqenit.
Sipas vlerësimeve, niveli i Fierzës ka zbritur tashmë nën kuotën 250 metra, ndërsa të dhënat zyrtare të KESH-it nuk janë përditësuar ende. Prurjet vijojnë të jenë shumë më të ulëta se mesatarja vjetore, duke mbajtur nën presion situatën hidrike të kaskadës së Drinit.
Nëse prurjet nuk pësojnë përmirësim dhe niveli i rezervuarit vazhdon të bjerë, mund të krijohen vështirësi në shfrytëzimin e plotë të kapaciteteve prodhuese të hidrocentralit të Fierzës. Në kushte të tilla, nuk përjashtohen kufizime në punën e agregateve dhe ndikime në prodhimin e energjisë elektrike.
Dalja në sipërfaqe e mbetjeve të Kukësit të vjetër mbetet një dukuri e pazakontë, por jo e panjohur për banorët e zonës. Ajo që e bën më të veçantë situatën këtë vit është përsëritja e fenomenit dy herë brenda vetëm dhjetë muajve.