
Shtetet e Bashkuara pritet të përballen me një bilanc negativ migracioni për herë të parë pas shumë dekadash, ku në vitin 2025 mund të largohen deri në 650 mijë persona më shumë sesa hyjnë në vend, dhe rreth 120 mijë më shumë në vitin 2026. Ky parashikim vjen nga një studim i përbashkët i Institutit “Brookings” dhe Institutit Amerikan të Ndërmarrjeve, dhe lidhet ngushtë me politikat më kufizuese të imigracionit që kanë filluar që në administratën Trump dhe vazhdojnë të kenë efekt. Retorika dhe veprimet anti-emigracion kanë krijuar një klimë pasigurie për të huajt, duke i shtyrë shumë të largohen ose të mos e shohin më SHBA-në si vendin e mundësive.
Sipas La Repubblica, rënia e numrit të emigrantëve do të ketë pasoja të prekshme në ekonomi. Ekspertët paralajmërojnë se kjo do të ulë rritjen e punësimit me deri në 100 mijë vende pune më pak në muaj dhe do të ngadalësojë rritjen ekonomike, me një ndikim negativ në PBB dhe konsum. Mungesa e fuqisë punëtore do të rrisë presionin mbi inflacionin dhe do të ndikojë edhe në ritmet e riprodhimit dhe zhvillimit afatgjatë të vendit.
Historikisht, SHBA-ja ka qenë një vend tërheqës për emigrantët, me rritje të ndjeshme gjatë presidencës së Obamës dhe Bidenit, ku në vitin 2023-2024 migrimi arriti kulmin me mbi 3 milionë në vit. Por tanimë, përveç deportimeve, pritet edhe largimi i atyre që hynë ligjërisht por që po humbasin statusin e tyre. Ky eksod sinjalizon një ndryshim të thellë në identitetin amerikan dhe në rolin që vendi ka luajtur globalisht si simbol i “Ëndrrës Amerikane”.