Prodhimi i mjaltit në Shqipëri ka pësuar një rënie të ndjeshme këtë vit, me bletarët që raportojnë deri në 50% më pak prodhim krahasuar me një vit më parë. Sipas tyre, shkak kryesor janë kushtet e pafavorshme klimatike, të karakterizuara nga temperaturat ekstreme gjatë pranverës dhe verës.
Bletërritësi Engjëllush Spaho shprehet se ndikimi i motit u ndje menjëherë pas muajit maj, duke ulur ndjeshëm sasinë e mjaltit të prodhuar në çdo koshere.
“Vitin e kaluar merrnim 12-15 kilogramë mjaltë për koshere, ndërsa këtë sezon prodhimi ka rënë nën 8 kilogramë”, thotë ai.
Rënia e prodhimit pritet të reflektohet edhe në çmimin e mjaltit në treg. Sipas Spahos, për të përballuar kostot e rritura të prodhimit, çmimi për konsumatorët mund të shtrenjtohet me rreth 15%.
Ai thekson se një pjesë e zgjidhjes varet edhe nga ndërhyrja e njeriut. Sipas tij, mbjellja e bimëve nektardhënëse në tokat e lira do të krijonte më shumë kullota për bletët dhe do të ndihmonte në rritjen e prodhimit.
“Tokat që janë bosh duhet të mbillen me bimë nektardhënëse, sepse pa kullotë bletët largohen dhe kjo është diçka që mund ta bëjmë vetë”, shprehet bletërritësi.
Temperaturat e larta dëmtuan lulëzimin e bimëve nektardhënëse, ndërsa reshjet e shiut gjatë pranverës kufizuan aktivitetin e bletëve. Si pasojë, prodhimi vendas ka rënë ndjeshëm, duke rritur gjasat që tregu të mbështetet më shumë te mjalti i importit, i cili sipas bletarëve nuk ofron të njëjtën cilësi dhe shije si mjalti shqiptar.