Bie puna në Rinas prej pandemisë, 'TIA' nis pushimin kolektiv nga puna

Bie puna në Rinas prej pandemisë, ‘TIA’…

Pandemia e COVID-19 ka nisur të japë efektin negativ te sektori i punësimit, duke bërë që shumë shqiptarë ta gjejnë veten pa punë. Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA), është kompania e radhës e cila futet në listën e bizneseve të mëdha në vend, që nisin reduktimin masiv të vendeve të punës.  

“TIA” ka njoftuar nisjen e procedurës së pushimit kolektiv nga puna të gati gjysmës së punonjësve të saj, gjë të cilën kompania e justifikon me faktin e pasojës nga humbjet financiare.

“Për shkak të dobësimit të ekonomisë shqiptare dhe asaj botërore, ne parashikojmë që veprimtaria tregtare e TIA-s do të vijojë të jetë në rënie. Nisur nga kjo situatë e vështirë, TIA është e detyruar që të ndërmarrë masa me qëllim parandalimin e humbjeve të mëtejshme ekonomike dhe për të siguruar vazhdimësinë e biznesit të saj.

Duke qenë se për arsyet e sipërpërmendura është e pamundur që i gjithë stafi të zihet me punë, TIA ka vendosur të fillojë procedurën e pushimit kolektiv nga puna”,- lexohet në njoftimin e TIA-s.

Nga burime pranë “TIA”-s mësohet se numri i punonjësve që do të shkurtohen do të jetë 52. Deri tani asnjë grupim sindikal nuk ka reaguar në vend për këtë situatë, por as punonjësit që do të shkarkohen nga puna nuk kanë nisur ndonjë protestë a organizim për të kundërshtuar këtë vendim./Gazetaatdheu.com/

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit