Bilanc lufte! 32 gra u vranë nga burrat për dy vite në Shqipëri

Bilanc lufte! 32 gra u vranë nga…

Në Shqipëri, në vetëm dy vite, 32 gra dhe vajza u ndanë mizorisht nga jeta. Jo nga aksidentet, as nga sëmundjet, por nga duart e atyre që supozohej t’i donin. 27 prej tyre u vranë nga partnerët, bashkëshortët apo të afërmit e tyre, ndërsa shteti, që duhej t’i mbronte, thjesht numëronte viktimat.

90% e këtyre grave kishin dhënë shenja. Kishin përjetuar dhunë, e kishin ndier vdekjen t’u merrte frymën përpara se të vinte fundi i tyre. Disa prej tyre, me gjithë frikën dhe guximin për të folur, shkuan deri në polici. E megjithatë, edhe pasi u pajisën me një “urdhër mbrojtjeje”, ata që i ndoqën në ëndërr si hije të zezë, arritën t’i shuanin. Sepse ky urdhër nuk ishte asgjë më shumë se një copë letër, pa duar që të ndalonin një grusht, pa një mur që të ndalte një plumb.

Në gjuhën tonë, fjala “femicid nuk ekziston. Në ligjin tonë, as nuk përmendet. Por vrasja e grave nga burrat, thjesht sepse janë gra, ndodh çdo ditë. Dhe ndodh sepse shoqëria i mëson burrat të sundojnë, e gratë të durojnë. Sepse sistemi i mëson gratë të kërkojnë ndihmë, por nuk i mëson si t’i shpëtojë.

Disa gra menduan se drejtësia do t’i mbronte. Denoncuan dhunuesin, e panë atë të dënohej. Dhe sërish, nuk jetuan dot për të parë lirinë e tyre. Katër gra u vranë sapo dhunuesi u lirua nga burgu. Nuk u njoftuan. Nuk patën kohë të fshiheshin. Nuk patën kohë të jetonin.

Sa herë dëgjojmë një lajm për një grua të vrarë, sa herë ndjejmë dhimbjen që vjen për disa minuta e më pas shuhet si një lajm i zakonshëm, duhet ta kujtojmë se ne jemi pjesë e kësaj historie. Heshtja jonë për të treguar mos aftësinë e këtij shteti për të mbrojtur një krijesë kaq të brishtë sa gruaja  është toka mbi të cilën lulëzon dhuna. Mosveprimi ynë është dora që mban armën.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit